Zyra Kombëtare e Auditimit ka hedhur dritë mbi procesin e ndërtimeve në Prishtinë dhe ka zbuluar një realitet shqetësues. Në një auditim të fundit të performancës, është evidentuar se Komuna e Prishtinës ka shfaqur mungesë serioze në sigurinë dhe zbatimin e standardeve për ndërtesat e reja. Vetëm një pjesë e vogël e lejeve të ndërtimit ka patur certifikatën e përdorimit, duke lënë shumicën e banesave të ndërtuara pa garanci për siguri dhe përmbushje të standardeve ligjore për banim. Në krah të kësaj, vonesat dhe mungesat në inspektime kanë kontribuar në këtë kontekst problematik, duke rritur rrezikun për qytetarët dhe investitorët, shkuran Demokracia.com.
Zyra Kombëtare a Auditimit ka kryer auditimin e performancës me temën “Efikasiteti dhe efektiviteti në procesin e ndërtimeve të larta në Komunën e Prishtinës”. Objektivë e këtij auditimi ishte të vlerësojmë nëse Komuna e Prishtinës ka vendosur procedura se si të trajtoj procesin e ndërtimeve të larta. Me theks ka vlerësuar nëse Komuna ka përdorur mekanizmat në dispozicion në mënyrë që të siguroj se janë lëshuar certifikatat e përdorimit, të cilat janë si vërtetim i cilësisë dhe sigurisë së ndërtesave për përdorim.
Rezultatet e auditimit kanë treguar se Komuna e Prishtinës nuk ishte efikase as efektive në procese nga lëshimi i lejeve të ndërtimit deri te pajisja me certifikata të përdorimit. Ka mungesë të kontrolleve gjatë lëshimit të kushteve, trajtim jo të barabartë të kërkesave për leje ndërtimore, mungesë të inspektimeve të mirëfillta dhe të rregullta si dhe mekanizmi për pajisje me certifikatë të përdorimit nuk është efektiv. Vetëm 15% e lejeve të lëshuara për ndërtim gjatë viteve 2017- 2021 janë pajisur me certifikatë të përdorimit, pra, pjesa tjetër e ndërtesave nuk u ofron qytetarëve apo banorëve siguri që objektet janë të sigurta dhe përmbushin standardet e parapara për të jetuar, e për më tepër, as nuk u sigurohet e drejta ligjore mbi atë pronë.
“Rritja e sipërfaqes ndërtimore në leje krahasuar me kushtet ndërtimore është tetë deri në 56%, rrjedhimisht ndërtesat janë tri-katër kate më të larta se sa janë paraparë në plane urbane. Vonesat në lëshimin e lejeve ndërtimore sillen në mes tre dhe 30 muaj, shkaktuar kjo nga shpërndarja jo e duhur e detyrave tek zyrtarët përgjegjës, ku një zyrtari i është deleguar trajtimi i 97 lejeve të ndërtimit, ndërsa një tjetri vetëm dy. As shpërndarja e inspektimeve tek inspektorët nuk është proporcionale sepse vetëm një inspektori i janë ndarë 54% e lëndëve që ne kishim mostër, ndërsa nëntë inspektorëve tjerë pjesa e mbetur. Vonesat në përgjigje ndaj kërkesave të investitorëve për inspektim janë nga tetë deri në 60 ditë, gjë që ka ndikuar edhe në uljen dhe vullnetin e investitorëve për të bërë kërkesë për inspektim”, ka theksuar ZKA
Disa nga mangësitë kryesore të identifikuara përfshijnë:
Prishtinës i mungojnë planet rregulluese të detajuara e për pasojë ndërtimet janë zhvilluar pa ndonjë strukturë urbane
Komuna e Prishtinës ka dështuar në hartimin dhe nxjerrjen e planeve rregullative të detajuara, me çka rregullimi i parcelave nuk ka përfunduar para dhënies së lejeve të ndërtimit. Kjo mangësi ka bërë që zyrtarët komunalë të luajnë rolin e ndërmjetësuesit, duke krijuar hapësirë për subjektivitet në vendimmarrje. Për më tepër, ridestinimi i tokave bujqësore për ndërtim shpesh vonohet deri në fazat përfundimtare të procesit, në vend që të ndodhë përpara lëshimit të lejeve. Si rezultat, ndërtesave të planifikuara me tetë dhe dhjetë kate, u janë shtuar tri deri në pesë kate, duke e mbingarkuar qytetin me struktura që nuk përputhen me planin e përgjithshëm rregullues urban dhe duke rrezikuar cilësinë e ndërtimit dhe rrjedhimisht edhe sigurinë e qytetarëve.
Shtimi i shërbimeve publike nuk është në përputhje me numrin e lejeve të lëshuara e as me planet e përgjithshme
Komuna edhe pse çdo vit lëshon me qindra leje të ndërtimit, nuk është siguruar që në përputhje me këtë numër të shtoj mjaftueshëm edhe infrastrukturë rrugore, shërbime shëndetësore e as transport publik. Ani pse Komuna në planet e saj parasheh edhe shtimin e shërbimeve publike për shtimin e numrit të banorëve, vitet e fundit numri i Qendrave të Mjekësisë Familjare është rritur për një, ndërsa nuk ka rritje në numrin e çerdheve dhe arsimit fillor dhe atij të mesëm.
Inspektimet e vonuara dhe të paplanifikuara rrezikojnë sigurinë, cilësinë dhe pamundësojnë korrigjimin e të metave të mundshme
Kryerja e inspektimeve pa plan dhe pa ndarje të qartë të detyrave dhe përgjegjësive, ka bërë që numri i inspektimeve të jetë shumë i ulët krahasuar me numrin e lejeve të lëshuara. Për më tepër shumica e inspektimeve nga ana e Komunës janë shumë të vonshme dhe bëhen vetëm pasi ndërtimi të jetë përfunduar, kjo pasi që inspektimet në proces me Udhëzimin Administrativ Nr. 05/2017 për Mbikëqyrje Inspektuese dhe Procedurën për Lëshimin e Certifikatës së Përdorimit i janë lënë investitorit. Mos inspektimi nga Komuna në faza të mëhershme dhe mungesa e kontrolleve në inspektimet e kryera nga investitori, nuk ofrojnë siguri që ndërtimet janë në përputhje me projektet, që janë të sigurta për banim e as që materiali i përdorur është i cilësisë së duhur. Këto inspektime pas ndërtimit janë shumë të vonshme dhe vështirojnë korrigjimet në rast se janë të nevojshme dhe dëmet potenciale janë vështirë të riparueshme.
Praktikat e Komunës për certifikatat e përdorimit rrezikojnë sigurinë dhe të drejtat e pronësisë së qytetarëve dhe interesat financiare të vet Komunës
Pjesë e madhe e obligimeve financiare që investitorët i krijojnë kundrejt Komunës me rastin e marrjes së lejes për ndërtim, janë paguar me vonesa të dukshme. Ani pse Komuna ka disa mekanizma për të siguruar inkasimin e këtyre mjeteve, siç është pagesa më këste dhe në rast dështimit për pagesë komuna ka të drejtë të konfiskoj garancionin nga kompania se sigurimit, në asnjë rast të testuar nuk kemi gjetur se komuna ka përdor këtë mundësi. Mirëpo, Komuna më së shpeshti e praktikon kushtëzimin me mos pajisen e investitorit me certifikatë të përdorimit pa përmbushur këto obligime, i cili është hapi i fundit i përfundimit të ndërtimit. Kjo mundësi që investitori mos të obligohet të paguaj në vazhdimësi por vetëm në fund, dëmton buxhetin e Komunës dhe interesin e qytetarëve. Për më tepër edhe në rastet kur investitori ka vullnetin që të pajisjet me certifikatë të përdorimit, Komuna ka vonuar deri në 488 ditë (në rastin më të gjatë) që ta pajis investitorin me të. Prandaj, shumica e objekteve të ndërtuara nuk pajisen me certifikatë të përdorimit edhe pse lëshohen për banim. Komuna nuk ka zhvilluar mekanizma funksional që obligojnë investitorin që pas inspektimit final dhe para se objekti të lëshohet për banim të pajiset me certifikatë të përdorimit. Objektet veçse kanë filluar të shfrytëzohen për banim pa u lëshuar certifikata e përdorimit, pra nuk e kanë kaluar fazën kontrolluese për t’u siguruar që objekti është i sigurt për banim. Blerësit e këtyre banesave përveç që nuk e kanë sigurinë për banim, nuk e gëzojnë të drejtën as të bëhen pronarë legjitim të tyre, e që për pasojë këto prona as nuk mund t’i përdorin si siguri financiare (hipotekë) as nuk mund t’i tjetërsojnë apo shesin ligjërisht. Për më tepër, në mostrat tona, ne kemi identifikuar që kishte projekte që kishin marrë kohë afër 14 vite që nga marrja e lejes për ndërtim e deri të pajisja me certifikatë të përdorimit dhe kjo duke mos marrë parasysh ata investitor që nuk kanë bërë as kërkesë e që kohëzgjatja e realizimit të këtyre projekteve nuk dihet. Një mjet që do t’i mundësonte Komunës menaxhimin më të mirë të këtij procesi është sistemi e-leja. Përdorimi i këtij sistemi do të mundësonte identifikimin e hallkave ku ka më shumë dobësi dhe vonesa e rrjedhimisht të ndërmerrte masa me kohë. Për të siguruar se janë vendosur procedura të duhura dhe funksionale për trajtimin e ndërtimeve të larta në Komunën e Prishtinës dhe se mekanizmat në dispozicion sigurojnë se janë lëshuar certifikatat e përdorimit, ne kemi dhënë shtatë rekomandime. Lista e plotë e rekomandimeve është paraqitur në kapitullin pesë të këtij raporti. /Demokracia.com/
Raporti: KETU