Zyra e Kurtit s’e përmendi fare, QUINT-i bën thirrje për qeveri stabile përmes bashkëpunimit

“Udhëheqësit politikë të Kosovës të punojnë së bashku për të konstituar Kuvendin dhe për të formuar një qeveri stabile”, ishte thirrja e ambasadorëve dhe përfaqësueseve diplomatikë të shteteve të QUINT-it, gjatë takimit me kryetarin Vetëvendosjes, Albin Kurti, në dritën e ngërçit politik që nga 15 prilli, data e caktuar nga Presidentja Vjosa Osmani për konstituimin e Kuvendit.

Ndonëse në komunikatën zyrtare të Zyrës së Kryeministrit kjo çështje s’u përmend fare, ambasadorë dhe diplomatë nga ShBA-ja, Mbretëria e Bashkuar dhe Gjermania njoftuan se gjatë takimit theksuan nevojen e formimit të një qeverie stabile, për t’i adresuar sfidat vendore dhe ndërkombëtare të vendit.

Ambasadori britanik në Kosovë, Jonathan Hargreaves, deklaroi pas takimit me Kurtin se ka inkurajuar formimin e menjëhershëm të një qeverie të re, në mënyrë që të mundësohet zhbllokimi i fondeve dhe avancimi i agjendës euroatlantike.

“Këtë pasdite takova Kryeministrin në detyrë Kurti me ambasadorë të tjerë të Kuintit. Inkurajova formimin e një qeverie të re sa më shpejt të jetë e mundur për të vepruar në interes të 🇽🇰 dhe popullit të saj duke bërë përparim në çështje jetësore, të tilla si zhbllokimi i fondeve dhe ecja drejt integrimit euroatlantik”, ka shkruar ai.

Diplomatja amerikane: Të punohet së bashku për të konstituar Kuvendin dhe për të formuar një qeveri stabile

Në të njëjtën linjë u shpreh edhe ambasadori gjerman, Jorn Rohde, i cili përmes një reagimi publik theksoi se Kosova ka nevojë urgjente për një qeveri stabile dhe vendimmarrëse.

Rohde shtoi se Kosova ka nevojë urgjente për një qeveri që është e aftë të marrë vendime. Këtë mesazh, tha ambasadori, ia përcjelli zëvëndësi i tij së bashku me kolegët e Quint-it në një takim me Kryeministrin në detyrëm Albin Kurti.

“Kosovës i nevojitet një qeveri stabile që është e aftë të marrë vendime. Më mirë dje se sa nesër. Shumë detyra të rëndësishme vendore dhe ndërkombëtare po presin, dhe është e nevojshme të ketë përparim në çështje jetike. Ky ishte mesazhi kryesor që zëvendësi im e përcolli së bashku me kolegët e Quint-it në një takim me Kryeministrin në detyrë Kurti.” – tha Rohde.

E ngarkuara me punë e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Kosovë, Anu Prattipati, bëri poashtu të ditur se ka bërë thirrje që liderët e partive politike të “punojnë së bashku” për të konstituar Kuvendin dhe për të formuar një qeveri stabile në përputhje me Kushtetutën, pas takimit me kryetarin e VV-së, Albin Kurti bashkë edhe me ambasadorët e Quint-it.

“Gjatë takimit, e Ngarkuara me Punë riafirmoi nevojën që udhëheqësit politikë të Kosovës të punojnë së bashku për të konstituar Kuvendin dhe për të formuar një qeveri stabile në përputhje me Kushtetutën. Këto institucione janë thelbësore për të siguruar mirëqenien dhe prosperitetin e qytetarëve të Kosovës.” – thuhet mes tjerash në njoftim.

Kurti – në mbledhjen e Këshillit të Përgjithshëm të Vetëvendosjes – u shfaq i pa shqetësuar nga bllokada institucione, duke deklaruar se “nuk kemi krizë institucionale dhe as politike”. Sipas tij, “në Kosovë kemi njëfarë vakumi kushtetues, të cilin mbase nuk do të duhej ta kishim marrë vesh fare.”

QUINT kërkon që të formohet shpejt Qeveria e re