Zyra e Kryeministrit në detyrë, Albin Kurti, ka realizuar një tender me vlerë mbi 120 mijë euro për shërbime të marketingut, shtypjes dhe skenografisë për raste ceremoniale dhe festive, shkruan Demorkacia.com.
Sipas të dhënave zyrtare nga platforma e prokurimit publik, marrëveshja kornizë do të zgjasë dy vite (24 muaj) dhe është fituar nga kompania “VM3 Sh.P.K”, e cila ka ofruar çmimin më të ulët 123,926 euro, ose me shtrenjtë se oferta e kompanisë tjetër e cila është vlerësuar e pa përgjegjshme në përmbushjen e kritereve.
Tenderi përfshin një gamë të gjerë shërbimesh, nga shtypja e materialeve zyrtare e deri te organizimi i skenografisë për ngjarje publike të Qeverisë.
Në listën e gjatë të artikujve të përfshirë janë vizitkartat, flamujt, fasikllat, ftesat, bluzat, shallët, binat, LED ekranet dhe tenda për evente, që përdoren në manifestime dhe ceremoni zyrtare të institucioneve të Qeverisë.
Çfarë përfshin tenderi dyvjeçar?
Në dosjen e tenderit, Zyra e Kryeministrit ka paraparë disa nga pikat kryesore që do të realizohen gjatë periudhës së kontratës:
Banera dhe cerada të përmasave të ndryshme për ambiente të brendshme e të jashtme;
Korniza metalike e druri, breandim me folje, stikera dhe emblema metalike me logon e institucioneve;
Furnizime për evente publike: bluza, çanta tekstili, varëse për qafë, ftesa, qese letre dhe gota të personalizuara;
Flamuj ceremonialë në përmasa të ndryshme me shtiza inoxi e baza stabile;
Tepisonë ceremonialë të kuq dhe bina për evente të vogla, të mesme e të mëdha, përfshirë edhe skena me kulm;
Huazim të pajisjeve për organizime, si karrige, tenda, banakiere dhe LED ekrane për ambiente të brendshme apo të jashtme;
Dekorime simbolike, si “Deklarata e Pavarësisë në pëlhurë”, fotografi të Presidentit dhe kopertina për mirënjohje;
Zhvillim i koncepteve kreative dhe brendeve për kampanja, evente dhe manifestime të organizuara nga Zyra e Kryeministrit.
Në dokument thuhet se montimi dhe shpërndarja e materialeve përfshihet në çmim, ndërsa sasitë e parapara janë indikative, pra mund të devijojnë deri në ±30%, në varësi të nevojave të zyrës gjatë zbatimit të kontratës.
Kompania VM3 Sh.P.K është shpallur operatori ekonomik përgjegjshëm me çmimin më të ulët. Kontrata është e vlefshme për dy vite, duke i mundësuar Zyrës së Kryeministrit në detyrë që të porosisë materialet sipas nevojës për evente, fushata apo ceremoni zyrtare gjatë kësaj periudhe. /Demokracia.com/