Zyra e Bashkimit Evropian në Kosovë ka thënë se është e shqetësuar për siç theksohet “raportet e fundit në media që përpiqen të frikësojnë dhe kriminalizojnë punën e organizatave joqeveritare.
Në një reagim, kjo zyre, thekson se ashtu si media, OJQ-të janë një shtyllë kyçe e shoqërisë civile të Kosovës dhe roli i tyre është të monitorojnë, analizojnë dhe mbajnë përgjegjës autoritetet, përfshirë Policinë e Kosovës.
“Në fund të vitit 2024, Ngo Aktiv, në partneritet me disa OJQ të tjera, publikoi një raport publik duke tërhequr vëmendjen ndaj sjelljes së papërshtatshme të disa oficerëve të Policisë së Kosovës, të cilët shpesh shfaqnin simbole të paautorizuara”.
“Ministria e Punëve të Brendshme dhe Policia e Kosovës e pranuan këtë çështje dhe krijuan një grup pune për ta adresuar atë, në partneritet me bashkësinë ndërkombëtare, përfshirë BE-në”.
“Çdo përpjekje për të heshtur OJQ-të në ndjekjen e këtij lloj pune është e papranueshme pasi ato dëmtojnë transparencën, gërryejnë besimin publik dhe kërcënojnë të shtypin shqyrtimin dhe pjesëmarrjen e qytetarëve, të cilat janë gurët themelorë të një demokracie funksionale”, theksohet më tutje në reagim, transmeton Klankosova.tv.
Në reagim, poashtu thuhet se BE-ja në Kosovë do të vazhdojë të mbështesë dhe të angazhohet në mënyrë aktive si me median ashtu edhe me OJQ-të, duke nënvizuar rëndësinë e standardeve të larta gazetareske dhe duke kontribuar në forcimin e mëtejshëm të shoqërisë civile në tërësi.