Miliarderët paralajmërojnë se do të largohen nëse qeveria rikthehet tek propozimi, duke kërcënuar reputacionin e vendit si parajsë fiskale.
Në një referendum historik të mbajtur më 30 nëntor 2025, qytetarët zviceranë thanë një “jo” të qartë ndaj propozimit për një taksë federale të trashëgimisë që synonte të ngarkonte pasuritë e mëdha me 50% për të financuar luftën kundër ndryshimeve klimatike.
Propozimi, i iniciuar nga Socialistët e Rinj – krahu rinor i Partisë Socialdemokrate – do të kishte prekur trashëgimet mbi 50 milionë franga zvicerane (rreth 62 milionë dollarë) dhe do të ishte taksa e parë federale e këtij lloji në vend.
Megjithëse aktualisht 24 nga 26 kantonet zvicerane kanë taksa trashëgimie të ulëta, shpesh duke përjashtuar bashkëshortët dhe fëmijët, propozimi federal do të zgjaste ndikimin edhe mbi trashëgimtarët e familjeve të pasura. Megjithatë, elektorati e hodhi poshtë idenë me 78% kundër dhe vetëm 22% pro.
Miliarderët, të cilët zakonisht ruajnë një profil të ulët, dolën hapur kundër taksës. Wim Ouboter, themelues i Micro Mobility Systems, paralajmëroi se do të largohej nga Zvicra nëse taksa miratohej, duke përdorur fjalët e tij të forta: “Do të them ‘fuck you, Zvicër’”.
Peter Spuhler, pronari i Stadler Rail, paralajmëroi se do të emigronte për në Austri ose Itali, duke argumentuar se taksa do të detyronte trashëgimtarët të shisnin biznesin e familjes.
Zvicra mbetet një nga vendet më të pasura në botë sipas pasurisë mesatare neto për banor, me një nga raportet më të larta të miliarderëve për milion banorë. Përveç bukurisë së Alpeve dhe stabilitetit politik, vendi tërheq pasuria e madhe për shkak të taksave të ulëta dhe infrastrukturës cilësore në arsim dhe shëndetësi.
Lista e fundit e miliarderëve zviceranë, e publikuar më 28 nëntor nga revista Bilanz, e ka në krye Gérard Wertheimer, bashkë-pronar i Chanel, me pasuri 34 miliardë franga, ndjekur nga trashëgimtarët e familjes Roche me 31 miliardë franga.
Megjithëse referendumi dështoi, fakti që propozimi arriti në votim mund të ketë pasoja të gjera për reputacionin e Zvicrës si parajsë fiskale. Disa miliarderë, si David von Rosen, tashmë po rishikojnë vendndodhjet e tyre, duke konsideruar Dubai-n si alternativë për të ruajtur pasuritë e tyre.
Në Evropë, ligjet mbi taksën e trashëgimisë janë të ndryshme: disa vende e kanë hequr, të tjerat e kanë deri në 80% për trashëgimtarët jo të afërm. Megjithatë, shtimi i borxheve dhe rritja e nevojave për financa po e bëjnë këtë instrument më tërheqës për vendet me deficit të lartë.
Në fund, referendumi në Zvicër nuk ndryshoi ligjin, por theksoi tensionet midis pasurive të mëdha dhe politikave publike që kërkojnë drejtësi fiskale dhe financimin e sfidave globale, si ndryshimet klimatike.











