Zv/sekretarja e NATO-s: Pas formimit të qeverisë së re, duhet progres në dialogun Kosovë-Serbi

Zëvendëssekretarja e Përgjithshme e NATO-s, Radmilla Shekerinska, ka theksuar rëndësinë e stabilitetit dhe procesit paszgjedhor në Kosovë, por edhe në të gjithë rajonin e Ballkanit Perëndimor.

Ajo deklaroi se NATO nuk ndërhyn në politikën vendase, por pret një qeveri funksionale dhe përparim në dialogun me Serbinë, të cilin e sheh si thelbësor për stabilitetin rajonal.

“Në përgjithësi kemi kaluar në një situatë të paqëndrueshme dhe kur ka zgjedhje ne rajon, sikur këto, duhet t’i kushtohet një rendis të veçantë. Por, fatmirësisht zgjedhjet kaluan dhe nuk kishte ndikimin direkt në stabilitet. Është e qartë që qytetarët t ushtronin të drejtën e tyre të votës dhe tani definitivisht është procesi pas zgjedhje që ka rëndësi më së shumit. Por kjo nuk është diçka që NATO as ndërhyn e as ndikon. Ne presim që të zgjedhet qeveria që përfaqëson institucionet e Kosovës.

Dhe në fakt ne duam lëvizje në çështjen e dialogut, progres në dialogun ndërmjet Prishtinës dhe Beogradit. Ne besojmë që ky është investim i duhur në stabilitetin e mëtutjeshëm të rajonit”, ka thënë Shekerinska.

Për sa i përket sigurisë, Shekerinska rikujtoi se NATO ka rritur numrin e trupave të KFOR-it si përgjigje ndaj disa ngjarjeve – si sulmi terrorist në Basnjskë të Zveçanit.

“Ajo çfarë kemi bërë prej diçka incidentesh që ndodhën në Kosovë, është sigurisht që të shtojmë trupat tonë të KFOR-it. Dhe kjo mendoj që flet shumë rreth përkushtimit të NATO, investimet që jemi atje dhe të përkrahim dialogun politik”, ka shtuar zëvendëssekretarja e Përgjithshme e NATO-s.

Lidhur me anëtarësimin e Kosovës në NATO, Shekerinska theksoi se kjo është një çështje që kërkon progres të mëtejshëm në dialogun Kosovë-Serbi.

“Kur bëhet fjalë për anëtarësimin në NATO, kjo në fakt është fazë tjetër dhe për këtë me të vërtetë na duhet të shohim progres në dialogun mes Prishtinës dhe Beogradit. Prandaj edhe e përkrahim dialogun e udhëhequr nga BE-ja. Duam të ecim përpara dhe të diskutojmë çështje që janë në interes të të gjithëve në rajon”, ka theksuar zëvendëssekretarja e Përgjithshme e NATO-s per rtv Dukagjinin.