Zyra e Rregullatorit për Energji e Kosovës (ZRRE) ka njoftuar se nesër, më 11 prill, do të mblidhet në ora 10:00 për të marrë vendimin përfundimtar lidhur me propozimin për rritjen e tarifave të energjisë elektrike. Vendimi vjen pas një periudhe të shkurtër diskutimi publik, në të cilën qytetarët dhe palë të interesit kanë pasur mundësinë të dërgojnë komentet dhe qëndrimet e tyre, shkruan Demokracia.com.
Sipas ZRRE-së, vendimi do të bazohet në analizat dhe argumentet e brendshme të institucionit, pavarësisht faktit që procesi është hapur për komente publike. Deri më tani, janë pranuar qindra reagime nga qytetarë dhe organizata të ndryshme. Vetëm përmes platformës së ZRRE-së janë dërguar 396 komente nga qytetarët, 8 nga organizata joqeveritare, 4 biznese, 4 kompani të licencuara të sektorit të energjisë, një deputet i Kuvendit të Kosovës, si dhe komente nga Qeveria përmes Ministrisë së Ekonomisë dhe nga Presidenca.
ZRRE ka bërë të ditur se tarifat e reja, nëse aprovohen, pritet të hyjnë në fuqi më 1 maj, por nuk është përjashtuar mundësia që ato të aplikohen në mënyrë retroaktive që nga 1 prilli. Propozimi për rritjen e çmimit të energjisë për rreth 15 për qind është paraqitur nga vetë Rregullatori muajin e kaluar, duke nxitur reagime të ashpra nga qytetarët, organizatat e shoqërisë civile dhe disa akterë politikë.
Petrit Pepaj nga ZRRE, gjatë një takimi me gazetarët, ka deklaruar se “vendimi për rritje do të merret nga mesi i këtij muaji, ndërsa tarifat e reja do të nisin të aplikohen nga data 1 maj”. Në këtë kontekst, mbledhja e nesërme pritet të jetë momenti vendimtar për finalizimin e këtij vendimi, që mund të prekë buxhetin e mijëra familjeve në vend.
Tri kompanitë kryesore të sektorit të energjisë në Kosovë – Operator i Sistemit, Transmisionit dhe Tregut (KOSTT), Kompania për Distribuim të Energjisë Elektrike (KEDS) dhe Kompania Kosovare për Furnizim me Energji Elektrike (KESCO) – i kanë kërkuar ZRRE-së rritje të tarifave të energjisë për shkak të, siç pretendohet, rritjes së çmimeve të importit dhe kostove të operimit.
ZRRE-ja, nga ana tjetër, ka arsyetuar se rritja e çmimeve është e pashmangshme, për shkak të rënies së prodhimit vendor të energjisë, rritjes së konsumit dhe varësisë së theksuar nga importet, të cilat në periudhën e fundit kanë qenë me çmime të larta. Sipas këtij institucioni, Kosova nuk mund ta sigurojë energjinë e nevojshme për mbi 1.6 milion banorë vetëm përmes prodhimit të Korporatës Energjetike të Kosovës (KEK).
Në këtë sfond zhvillimesh, është paralajmëruar një protestë qytetare për nesër në sheshin “Zahir Pajaziti” në Prishtinë, me fillim nga ora 12:00. Protesta është organizuar nga Iniciativa “Asnjë Cent Më Shumë”, e cila kërkon të ndalojë miratimin e rritjes së tarifave dhe të detyrojë institucionet që të hapin rrugë për një proces të mirëfilltë dialogu me qytetarët.
Aktivisti Besnik Shabiu, përfaqësues i kësaj iniciative, ka ftuar qytetarët për mobilizim, duke shprehur zhgënjimin ndaj institucioneve shtetërore për, siç e quan ai, mungesën e vullnetit për dialog dhe përdorimin e gjuhës së arrogancës në vend të bashkëpunimit. Përmes një postimi në rrjetet sociale, ai ka theksuar se kërkesat për debat publik janë refuzuar dhe se propozimet konkrete të ofruara nga qytetarët dhe ekspertët janë shpërfillur, madje dërguar qëllimisht në adresa të pasakta.
Sipas tij, pas protestës së mbajtur më 5 prill, autoritetet kanë filluar të ndryshojnë mënyrën e komunikimit, duke përdorur “lojëra fjalësh” për të justifikuar vendimin për rritjen e tarifave. “E vetmja mënyrë për të vazhduar komunikimin është që të tërhiqet menjëherë vendimi për rritjen e çmimit të energjisë. Vetëm atëherë mund të ulemi dhe të diskutojmë si qytetarë të barabartë,” ka deklaruar Shabiu.
Organizatorët e protestës kanë përcjellë një mesazh të qartë për institucionet: “Deri të premten, ju zonja e zotërinj, keni kohë të tërhiqeni nga ky vendim skandaloz. Mos e provokoni nervin e qytetarit të kësaj republike.” Me moton #asnjecentmëshumë, ata kërkojnë ndalimin e vendimeve që rëndojnë më tej barrën ekonomike të familjeve në Kosovë.
Të gjithë sytë janë tashmë të drejtuar kah mbledhja e nesërme e ZRRE-së, nga e cila pritet të mësohet nëse çmimi i rrymës do të rritet dhe kur do të hyjnë në fuqi tarifat e reja. /Demokracia.com/