Zyra e Rregullatorit për Energji (ZRRE) ka reaguar ndaj deputetëve të LDK-së, lidhur me deklarimet se “qeveria mund ta sgtyjë vendimin për shtrentjimin e rrymës”.
Lidhja Demokratike e Kosovës ka dorëzuar të hënën në Zyrat e Rregullatorit për Energji (ZRRE) kërkesën për anulim të vendimit për rritje të çmimit të energjisë elektrike.
LDK-ja shkroi në Facebook se kanë mbështetjen edhe të deputetëve të tjera për anulimin ose shtyrjen e vendimit për largimin e rreth 1300 bizneseve nga tregu i rregulluar i energjisë, duke shtuar se kërkojnë edhe anulimin e rritjes së çmimit.
LDK-ja tha se kjo kërkesë “është hap i domosdoshëm për të mbrojtur interesin e qytetarëve dhe të bizneseve në këtë kohë të ndjeshme”. Kjo parti kërkoi edhe zbatim të konsultimeve publike, dorëzim i analizës së plotë në Kuvend dhe zotim për të gjetur alternativa “që nuk rëndojnë qytetarët”.
E ZRRE-ja ka thënë se deklarimet se vetëm “qeveria mund ta shtyjë vendimin për shtrenjtimin e rrymës”, janë të pasakta.
“Vendimet për tarifat janë kompetencë ekskluzive e ZRrE-së, dhe asnjë institucion tjetër nuk ka mandat ligjor për të anuluar apo shtyrë vendimet e ZRrE. Qeveria mund të ndikojë në uljen e ndikimit të faturave vetëm përmes mekanizmit të subvencionimit direkt te konsumatorët, por kjo nuk përbën vendimmarrje rregullative. Sipas legjislacionit në fuqi, vendimet e ZRrE, nuk mund të rishikohen apo kontestohen nga asnjë institucion publik, përveç shqyrtimit gjyqësor në gjykatën kompetente të Kosovës, sipas Ligjit për Konflitet Administrative”, thuhet në sqarimin e ZRRE-së.
Sa i përket tregut të hapur të energjisë, ZRRE ka thënë se kjo është shtyrë disa herë, por tash janë plotësuar kushtet e nevojshme për të kaluar në të.
“Sa i përket tregut të hapur të energjisë, ZRrE sqaron se kalimi i konsumatorëve komercialë në tregun e lirë është proces që buron nga obligimet për liberalizim të tregut sipas direktivave evropiane, të cilat janë të inkorporuara në legjislacionin primar, e që datojnë që nga vitit 2016, meqë rast 5 konsumatorë tashmë furnizohen në treg të energjisë elektrike. Deri tani ky aktivitet është shtyer për shkak të pasojave të pandemisë dhe të krizës energjetike, të cilat krijuan pasiguri në furnizim me energji elektrike dhe stabilitet të tregut të energjisë. Megjithatë, tani janë plotësuar kushtet e nevojshme për t’u mundësuar konsumatorëve që përmbushin kriteret të kalojnë në treg të hapur dhe të përfitojnë nga mundësitë e konkurrencës. Për më tepër, ZRrE do të monitorojë çdo hap të këtij procesi, për të siguruar mbrojtjen e interesave të konsumatorëve dhe për të garantuar që të gjitha palët e përfshira të respektojnë normat dhe standardet ligjore në fuqi”, thuhet në sqarimin e ZRRE-së.