ZRRE shpall e anulon tenderin për furnizuesin e fundit: Askush nuk konkurron, KEK mbetet zgjidhje e përkohshme

Zyra e Rregullatorit për Energji (ZRRE) ka dështuar sërish të zgjedhë përmes tregut Furnizuesin e Mundësisë së Fundit, pasi që tenderi i rishpallur më 18 nëntor 2025 është anuluar për mungesë të plotë të interesimit nga furnizuesit e licencuar të energjisë elektrike, shkruan Demokracia.com.

Sipas njoftimit zyrtar të ZRRE-së të datës 18 dhjetor 2025, asnjë subjekt i licencuar për furnizim me energji elektrike në Kosovë nuk ka aplikuar në këtë procedurë, ndonëse dosja e tenderit ishte publikuar dhe dërguar drejtpërdrejt tek furnizuesit përmes e-mailit zyrtar. Si pasojë, tenderi është shpallur i pavlefshëm dhe është anuluar, pasi rregullorja kërkon minimum dy ofertues të pranueshëm.

Ky është dështimi i radhës në përpjekjet e ZRRE-së për të gjetur një Furnizues të Mundësisë së Fundit përmes konkurrencës, rol që në praktikë vazhdon ta mbajë Korporata Energjetike e Kosovës (KEK), fillimisht me mandat trevjeçar dhe tash me vendime të përkohshme.

Fakti që as KEK-u dhe as furnizuesit privatë nuk marrin pjesë në tender, tregon për funksionalitetin e tregut të liberalizuar të energjisë dhe atraktivitetin real të këtij roli, i cili duket se mbetet i papërballueshëm ekonomikisht për operatorët e tregut.

Ndërkohë, ZRRE ka paralajmëruar rishpalljen e procedurës, në një situatë ku furnizimi emergjent i konsumatorëve vazhdon të mbështetet në zgjidhje të përkohshme dhe jo në konkurrencë reale

“Zyra e Rregullatorit për Energji me Vendimin Nr. V_2932_2025 të datës 7 nëntor 2025 ka vendosur për HAPJEN E PROCEDURËS SË RI-TENDERIMIT PËR ZGJEDHJEN E FURNIZUES TË MUNDËSISË SË FUNDIT. Me datë 18 nëntor 2025 është bërë publikimi i dosjen së tenderit për zgjedhje të furnizuesit të mundësisë së fundit në faqen elektronike të ZRRE-së. Dosja e tenderit u është dërguar furnizuesve edhe përmes e-mailit zyrtarë. Ftesës për Shprehje të interesit për të aplikuar në Tenderin për Zgjedhje të Furnizuesit të Mundësisë së Fundit NUK i është përgjigjur asnjë i licencuar për furnizim me energji elektrike në Kosovë. për Duke marr parasysh se nuk është plotësuar kriteri i përcaktuar me Nenin 4 paragrafi 1 të Rregullës për Furnizuesin e Mundësisë së Fundit, i cili parasheh, citoj: “Konkurrenca caktimin e Furnizuesit të Mundësisë së Fundit do të konsiderohet e vlefshme nëse jo më pak se dy (2) tenderues kanë përmbushur kriteret përkatëse të provueshmërisë”, thuhet në vendimin për anulim që e ka parë Demorkacia.com.

Furnizuesi i Mundësisë së Fundit është kompania që garanton furnizimin me energji elektrike në raste emergjente, kur qytetarët ose bizneset mbesin pa furnizues për shkak se kompania e tyre ka falimentuar, i është hequr licenca ose kontrata është ndërprerë. Ky furnizim bëhet përkohësisht, zakonisht deri në 60 ditë, me qëllim që konsumatorët të kenë kohë të zgjedhin një furnizues tjetër, pa u përballur me ndërprerje të rrymës.

Derisa ZRRE para disa muajve kishte hapur tender për këtë pune, më pas kishte rihapur përsëri.

Zyra e Rregullatorit për Energji (ZRRE) njofton të gjitha palët se ka shpallur Ri-tenderin për zgjedhjen e Furnizuesit të Mundësisë së Fundit (FMF). Ofrimi i shërbimit të furnizimit të garantuar me energji elektrike, sipas ligjeve në fuqi, duhet të ofrohet kur një furnizues me pakicë falimenton ose nuk është më i licencuar, ose kur një konsumator i parregulluar nuk ka arritur të ripërtërijë kontratën e tij ose të hyjë në një kontratë të re furnizimi. Sipas Ligjit për Energji Elektrike, furnizimi i garantuar është shërbim i kufizuar në një periudhë maksimale prej 60 ditësh dhe i nënshtrohet çmimeve të përcaktuara në përputhje me Rregullën dhe metodologjinë për Furnizuesin e mundësisë së Fundit. Afatit për pranim të ofertave është në dosjen e tenderit deri me datë 17.12.2025, deri në ora 14:00.

Bazuar në dosjen e tenderit, furnizuesit që kanë aplikouar për të ofertuar në procedurën e ri-tenderimit duhet të demonstrojnë se përmbushin kriteret e dhëna në nenin 4 të Rregullës për Furnizuesin e Mundësisë së Fundit; Furnizuesi i Mundësisë së Fundit do të jetë i obliguar që të sigurojë të gjitha shërbimet e furnizimit ashtu si janë përcaktuar në Ligjin për Energjinë Elektrike, Rregullin për kushtet e përgjithshme për furnizim me energji elektrike dhe Licencën përkatëse të lëshuar nga Rregullatori. Furnizuesi i Mundësisë së Fundit do të caktohet për një periudhë veprimi si furnizues i tillë, në pajtim me nenin 3 të Rregullës për FMF për periudhë tre vjeçare. Si Furnizues i Mundësisë së Fundit do të zgjidhet furnizuesi i cili ofron koston më të ulët të furnizimit me pakicë të energjisë elektrike, siç është definuar në Rregullën për Furnizuesin e Mundësisë së Fundit.

Si po dështon ZRRE te përzgjedhë me gare një furnizues?

Dihet se ZRRE në pajtim me Nenin 3 të Rregullës për Furnizuesin e Mundësisë së Fundit me vendim formal ka vendos për hapjen e procedurës së tenderimit për zgjedhjen e furnizuesit të mundësisë së fundit. ZRRE ka përsëritur tenderin ku Bordi me 24 qershor 2022 kishte nxjerrë vendimin nr. V_1516_2022 për hapjen e procecudurës së tenderimit për zgjedhjen e furnizuesit të mundësisë së fundit. Me pas ZRRE ka bërë shpalljen e tenderit në web faqen zyrtare të saj dhe ka njoftuar palët e lincencuara për furnizim me energji elektrike për të paraqitur ofertat e tyre për ofrimin e FMF-së. Edhe ky tender ka dështuar pasi që nuk janë plotësuar kushtet ligjore të përcaktuara në Nenin 4 të Rregullës nr. 08/2017 për Furnizues të Mundësisë së Fundit.

Si rezultat i kësaj dhe në pajtim me Nenin 40 paragrafi 4 të Ligjit për Energjinë Elektike, ku ndër të tjera thuhet: “në rast se edhe tenderi i dytë dështon, Rregullatori cakton furnizuesin e mundësisë së fundit me një akt të veçantë”, Bordi iZRRE me datë 29 korrik 2022, ka caktuar Korporatën Energjetike të Kosovës – KEK që të ushtrojë përgjegjësitë e Furnizuesit të Mundësisë së Fundit për periudhë tri vjeçare duke filluar nga 31 korriku 2022 deri me 30 korrik 2025.

Me datë 28 mars 2025 Bordi ka nxjerrë vendimin me nr. V_2695_2025 për Hapjen e Procedurës së Tenderimit për Zgjedhjen e Furnizuesit të Mundësisë së Fundit, për arsye se me datë 30 korrik 2025 do të përfundonte afati kohor i detyrimit të KEK SH.A për të kryer furnksionin e FMF-së, raporton Demorkacia.com.

Me datë 12 qershor 2025 Bordi ka nxjerrë vendimin për caktimin e KEK SHA që PËRKOHËSISHT të ushtrojë funksionin e FMF-së për periudhë gjashtë mujore, nga data 31 korrik 2025 deri me 30 janar 2026, pasi që ftesës për shprehje të interesit për të aplikuar në Tenderin për FMF, i publikuar me 19 prill 2025, nuk i ishte përgjigjur asnjë aplikues. /Demokracia.com/