Bordi i Zyrës së Rregullatorit për energji ia ka vazhduar Korporatës Elektroenergjetike të Kosovës (KEK) afatin si Furnizues të Mundësisë së Fundit (FMF) për një periudhë gjashtëmujore, nga 31.08.2025 deri më 31.01.2026.
Kështu bëri të ditur ZRrE-ja në njoftimin e lëshuar pas mbledhjes së mbajtur sot.
Në vendimin e parë, Bordi e kishte përcaktuar KEK-un si FMF për një periudhë dymujore nga dita e hyrjes në fuqi të vendimit për kalim në tregun e lirë të bizneseve të mëdha në vend, që ishte 1 qershori, raporton Klankosova.tv.
Rregullatori thotë se FMF është një furnizues i caktuar në përputhje me dispozitat ligjore, i cili ofron për një periudhë të kufizuar kohe shërbimin e furnizimit në kushte të rregulluara ndaj konsumatorëve, të cilët nuk kanë mundësi të kontraktojnë vetë një furnizues ose kanë humbur furnizuesin e tyre.
Caktimi i FMF-së bëhet përmes një procedure të hapur tenderimi, ndërsa theksohet se ky furnizues caktohet për një periudhë veprimi si furnizues i tillë prej 3 vitesh, sipas nenit 40 të Ligjit për Energjinë Elektrike.
“Në rast se nuk zgjidhet furnizuesi i mundësisë së fundit në periudhën e përcaktuar me paragrafin dy të këtij neni, Rregullatori do të caktojë një furnizues që përkohësisht të ushtrojë funksionin e furnizuesit të mundësisë së fundit, por jo më gjatë se gjashtë (6) muaj, periudhë kjo brenda të cilët do të zhvillohet tenderi i ri. Në rast se edhe tenderi i dytë dështon, Rregullatori cakton furnizuesin e mundësisë së fundit me një akt të veçantë, duke përcaktuar të gjitha kushtet dhe afatet për vendosjen e obligimit të shërbimit publik në pajtim me nenin 5 të këtij ligji”, thuhet në paragrafin 4.
Ndërkaq, paragrafi 7 thotë se procedura e tenderimit do të jetë në formë të ftesës për tender me shkrim të dorëzuar tek të licencuarit e përshtatshëm dhe që janë në dispozicion.
ZRrE, në njoftimin e sotëm, nuk ka dhënë ndonjë arsye për zgjatjen e mandatit të KEK-ut si FMF deri më 31 janar, 2026.
Kompanitë që kanë mbi 50 punëtorë ose qarkullim mbi 10 milionë euro në vit, u detyruan të kalojnë në tregun e hapur të energjisë nga 1 qershori.
KEK-u ndërkaq nga ana e tij u përcaktuar si Furnizues i Mundësisë së Fundit dhe u kishte caktuar afat deri më 9 qershor kompanive që të nënshkruajnë kontrata. Mirëpo, ky afat i fundit u shty tre herë, me arsyetimin se nuk po arrijnë të procesojnë kërkesat e kompanive.
ZRrE-ja e kishte licencuar KEK-un për furnizim të bizneseve në treg të hapur për një periudhë të përkohshme, 60-ditore.
The post ZRrE-ja ia vazhdon KEK-ut deri më 2026 statusin e Furnizuesit të Mundësisë së Fundit për biznese appeared first on Kosovapost.net.