Zyra e Prokurorit të Specializuar ka njoftuar se ka përmbyllur paraqitjen nga e provave në gjyqin ndaj ish-krerëve të UÇK’së, Hashim Thaçi, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit. Gjyqi ndaj tyre ka filluar më 3 prill 2023.
Në njoftimin e lëshuar për media thuhet se ZPS-ja thirri për të dhënë dëshmi drejtpërdrejtë në sallën e gjyqit 125 dëshmitarë, derisa ka paraqitur rreth 3 mijë prova materiale në shumë gjuhë, shkruan Reporteri.net.
“Dhe ZPS-ja ka bërë deri më sot 1 430 parashtresa lidhur me këtë çështje gjyqësore. Zotërinjtë Thaçi, Veseli, Selimi dhe Krasniqi akuzohen për krime kundër njerëzimit dhe krime lufte, përfshirë vrasjen e më shumë se 100 viktimave si dhe mbajtjen në paraburgim në mënyrë të paligjshme e torturimin e qindra viktimave. Sipas aktakuzës, krimet u kryen kundër qindra civilëve dhe individëve që nuk ishin pjesëmarrës në luftime në një periudhë prej të paktën marsit të vitit 1998 deri në shtator të vitit 1999 në shumë vende në të gjithë Kosovë dhe në Shqipërinë e veriut. Në këtë gjyq janë pjesëmarrës më shumë se 150 viktima dhe ata përfaqësohen nga Avokati i Viktimave”, thuhet në njoftim.
Prokurorja e Specializuar Kimberly Ëest, ka deklaruar se gatishmëria e dëshmitarëve për të dëshmuar ishte jashtëzakonisht e rëndësishme
“Gatishmëria e dëshmitarëve për të dëshmuar ishte jashtëzakonisht e rëndësishme dhe unë duartrokas kurajën e tyre, që dhanë dëshmi në sallën e gjyqit,” tha Prokurorja e Specializuar.
“Ne duhet gjithmonë të përballemi me krime si vrasja dhe tortura,” vazhdoi Ëest. “Për Kosovën është thelbësore që sundimi i ligjit dhe procesi gjyqësor në sallën e gjyqit të respektohen me qëllim që të ruhet integriteti dhe paanësia e procedurave dhe të gjendet e vërteta”, citohet të ketë thënë West./Reporteri.net