Kandidati i Lëvizjes Vetëvendosje për kryeministër të vendit, Albin Kurti, përpara se ta merrte këtë pozitë më 2021, e pati lëshuar dorën me premtime.
Një nga to që Kurti e pati premtuar më 2 shkurt të vitit 2021, e që për katër vjet në krye të qeverisë s’e ka bërë, është krijimi i Fondit Sovran dhe Bankës Zhvillimore të Kosovës.
“Në fushën e ekonomisë dhe mbrojtjes sociale zotohem para jush për sa vijon: Do ta krijojmë Fondin Sovran dhe Bankën Zhvillimore të Republikës së Kosovës. Fondi Sovran do t’i marrë nën pronësi asetet strategjike të Republikës së Kosovës dhe do ta ketë përgjegjësinë ekskluzive për investimet në rritjen e vlerës së tyre”, pati thënë Kurti, transmeton Klankosova.tv.
Kreu i qeverisë për 4 vjet sa ishte kryeministër as nuk e ka formuar Fondin Sovran e as Bankën Zhvillimore, por më 2 shkurt 2021, Kurti qytetarëve u pati premtuar edhe shuarjen e Agjencisë Kosovare të Privatizimit.
Kurti thoshte se me shuarjen e Agjencisë Kosovare të Privatizimit, asetet e saj do t’i kalojnë në pronësi Fondit Sovran, por i tërë ky proces ka dështuar.
Ligji për Fondin Sovran ishte votuar me votat e mazhorancës në Kuvend gjatë fundit të vitit 2023. Por, ky ligj më pas ishte dërguar në Gjykatën Kushtetuese nga Partia Demokratike e Kosovës.
Të njëjtin ligj në po të njëjtën gjykatë e kishte dërguar edhe LDK-ja me pretendimet se “Qeveria Kurti po dëshiron të krijojë një super-ndërmarrje të kontrolluar shtetërore”.
Procesi ende ka mbetur në Kushtetuese.
Sipas qeverisë, Fondi Sovran do ta ketë përgjegjësinë ekskluzive për investimet në rritjen e vlerës së Trepçës, KEK-ut, Korporatës së Thëngjillit dhe PTK-së.