Për të arritur në cakun që e synojnë, Lëvizja Vetëvendosje mesa duket në këtë kohë fushate ka ndryshuar strategji.
Nga thirrja për bojkot, tani, tek dy krerët kryesorë të kësaj partie po shihet zbutje të gjuhës ndaj mediave e pjesëmarrje më të madhe në studio televizive.
Pikërisht në kohën kur po i duhen votat, zëri i Albin Kurtit e Glauk Konjufcës vecse ka nisur ‘të dëgjohet’ më shumë në medi.
Albin Kurti, ka thënë se ai asnjëherë nuk i ka quajtur mediat e Kosovës – “media të Serbisë”.
Kurti i ftuar në emisionin “Politiko” në “Kanal 10”, në javën e kaluar tha se asnjëherë më parë nuk ka pasur më shumë dezinformata.
“Unë asnjëherë s’i kam quajtur mediat e Kosovës “media të Serbisë”. Këtë e kam thënë vetëm për një media që e ka regjistru median në Serbi. Unë e kam bërë të saktë dallimin dhe nuk kam nevojë që tash t’i fus të gjitha mediat. Ka ndryshu media në Kosovë e në botë. Gazetari hulumtuese secilën herë e më pak ka e më shumë opinione që paraqiten si fakte. Kurrë nuk ka pasë më shumë dezinformata, nëse e krahasojmë para 30 viteve, në atë kohë kemi pasur një terr informativ ndërsa sot në shumë aspekte kemi një mjegull dezinformative. Nuk është kollaj as për gazetarët e as për politikanët që duhet të përgjigjen në përgjithësi” – tha ai.
I pyetur për gjuhën e përdorur nga Sami Kurteshi i LVV-së ndaj gazetarëve, Kurti tha se nuk e përkrah një gjuhë të tillë, raporton Periskopi.
“Unë jam kundër çdo përgjithësimi, nuk e mbështes një gjuhë të tillë, por kijeni parasysh që njerëz të ndryshëm kanë reagime të ndryshme. Unë nuk besoj që ka shumë vende në Europë që kanë kaq liri të shprehjes, nuk besoj që ne lëngojmë nga liria e shprehjes”- tha Kurti.
Njëjtë veproi edhe shoku i tij.
Pas katër vitesh, është rikthyer për të dhënë intervistë në Pressing në T7, ish-kreu i Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca.
Konjufcës iu përmend qasja e LVV-së ndaj mediave të Kosovës që shpesh herë u quajtën “media të Serbisë” nga partia në pushtet, si dhe i tha që tani në kohë fushate po “kërkoni çdo studio televizive”.
Nga ku Konjufca u shpreh i gatshëm për bashkëpunim me media.
“Mendoj që ky ka qenë një reflektim i yni, në politikë ai që nuk mëson nga gabimet nuk mundet me ecë përpara. Lëvizja Vetëvendosje ka reflektu në këtë pikë…Ka mendu që strategjia jonë në shkurt nuk ishte me efektivja, në rrethana të reja synojmë të kemi prani sa më të madhe në mediat e Republikës së Kosovës”, ka deklaruar mbrëmë Konjufca.
Përgjatë katër viteve në pushtet, zyrtarët e qeverisë patën paraqitje tepër të rralla në emisione televizive, duke preferuar kryesisht emisione apo përballje të përzgjedhura me kujdes.
Anëtari i Lëvizjes Vetëvendosje në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve(KQZ), Sami Kurteshi, ka lëshuar akuza të rënda ndaj mediave dhe gazetarëve.
Pas ofendimeve të para në qendrën e KQZ-së, Kurteshi ka vazhduar me deklarata edhe më të ashpra, duke i quajtur mediat “vrasës me pagesë” dhe duke përmendur me emër disa prej tyre.
“Aleanca e Grupeve Kriminale (AGK), ashtu sipas një tradite të saj rutinë, e tërbuar qenka vënë sërish në mbrojtje të pronarëve të altoparlantëve të krimit të organizuar dhe dezinformimit – VRASËSVE me PAGESË – me emrat si „Vox“, „periskopi.com“, „Klan-tv“, „gazetaexpress.com“, „telegrafi.com“, „reporteri.net“, „insajderi.com“, „paparaci.com“ e ndonjë tjetër të ngjashme. Aleanca e grupeve kriminale, lutjen e zëshme e të qartë shqip për respektim të hapësirës së punës për KQZ dhe të mediave, e kualifikon si „pengon fizikisht gazetarët“ dhe shprehet e „shokuar me sjelljen agresive dhe dënon ashpër cenimin fizik të gazetarëve“ nga unë, Sami Kurteshi, anëtar i KQZ”, ka shkruar ai.
Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës (AGK) ka dënuar ashpër gjuhën e papërgjegjshme, sulmuese dhe shumë të rrezikshme të anëtarit të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve (KQZ), Sami Kurteshi, nga radhët e Lëvizjes Vetëvendosje.
Sipas AGK-së, Kurteshi në një reagim publik e ka cilësuar këtë asociacion si “Aleancë të Grupeve Kriminale”, duke përmendur edhe një sërë mediash të cilat i ka quajtur “vrasës me pagesë”.
E, juristja e medias, Flutura Kusari ka thënë se asnjë parti në historinë e Kosovës nuk e ka cenuar më shumë lirinë e medias dhe të shprehje, sikurse Lëvizja Vetëvendosje, duke theksuar që në gjysmë dekadën e fundit kjo parti ka denigruar me gjuhën më të rrezikshme të mundshme.











