Zogaj i KGJK-së jep detaje nga takimi me Kallas

Kryesuesi i Këshillit Gjyqësor të Kosovës, Albert Zogaj ka dhënë detaje lidhur me takimin që ky këshill pati me Përfaqësuesen e Lartë të BE-së, Kaja Kallas.

Sipas tij, Këshilli Gjyqësor i Kosovës ia bëri të ditur se zonjës Kallas se si po trajtohen çështja e dorëheqjes së prokurorëve dhe gjyqtarëve serbë, transmeton Klankosova.tv.

“E konsiderojmë vizitë jashtëzakonisht të rëndësishme, ka pasur mundësi të njoftohet direkt me dinamikën dhe mënyrën se si ne e kemi trajtuar çështjen e dorëheqjeve të gjyqtarëve që vijnë nga komuniteti serb, por njëkohësisht edhe të prokurorëve, për të cilën situatë ne kemi pasur sigurisht, po besoj qasjen më konstruktive të mundshme, serioze dhe me kujdesin e duhur jemi duke e hetuar çështjen, prandaj për neve ka qenë një mundësi jashtëzakonisht e mirë me njoftu nga afër se si po trajtohet në kuadër të Këshillit Gjyqësor kjo çështje”, tha Zogaj në “Info Magazine”.

Tutje, ai tha se KGJK ka të njëjtin mendim si Kaja Kallas, që prokurorët e gjyqtarët serbë të rikthehen në sistemin gjyqësor të Kosovës.

“Në fakt duket se qasja e KGjK-së dhe e Kallas është e njëjtë, ne kemi lënë një derë të hapur për kthimin e gjyqtarëve dhe administratës në sistem gjyqësor, por në një formë kjo është edhe thirrja e Bashkimit Evropian dhe partnerëve tanë ndërkombëtarë”, tha kryesuesi i KGJK-së.

E tutje, Zogaj tha se pika kryesore e këtij takimi ishte të kuptuarit se Republika e Kosovës ka një sistem gjyqësor krejtësisht të pavarur.

“Ajo se çfarë është më e rëndësishmja nga kjo vizitë, është që u pa se Republika e Kosovës ka një sistem gjyqësor krejtësisht të pavarur, që mban qasjen e tij”.