Me një eksperiencë të gjatë si portier i kombëtares axurre, kampion bote më 1982, më pas edhe trajner i Italisë, Dino Zoff ka folur për rastin “Donnarumma-PSG”: “Nuk e kuptoj se çfarë mund të ketë ndodhur, por kontributi i Donnarumma te PSG ka qenë i shkëlqyer.
Situata nuk është e qartë pse u mor një vendim kaq i rëndë. E them me bindje: nëse PSG-ja arriti të fitonte Champions-in, është edhe meritë e tij. Sigurisht, jam i befasuar. Ndoshta ka arsye kontraktuale ose rinovimi, por unë nuk kam informacione të veçanta”.
Zoff nuk shqetësohet që portieri i Italisë mund të qëndrojë gjatë pa luajtur: “Nuk besoj se do të ndalet, sepse mund të shkojë diku tjetër”.
Asnjë frikë që, edhe pse ndeshjet e kombëtares janë afër, Donnarumma mund ta humbasë vendin e titullarit për mungesë minutash: “Për mua kjo nuk është e mundshme. Ai është kampioni aktual i Europës, zgjidhja do të gjendet”.
Rino Gattuso mund të jetë i qetë: “Nuk besoj se Donnarumma do të bëhet problem, nuk jam kaq pesimist. Këshilla? Nuk jap të tilla, vetë Donnarumma do të dijë çfarë të bëjë”.
Ish-numri një i Italisë në kohën e Valcareggi dhe Bearzot nuk beson as në kritikat ndaj Donnarumma për përdorimin e kufizuar të këmbëve: “Nuk besoj, janë justifikime. Nëse një portier luan mirë me këmbë, aq më mirë, por gjithçka fillon nga baza; pritja e topit”.
Zoff përfundon duke vlerësuar sezonin e Donnarumma: “Sipas asaj që kam parë, e fitoi Ligën e Kampionëve me një kontribut të jashtëzakonshëm. Më shumë se kaq…”
The post Zoff mbron Donnarumma: Nuk e kuptoj, vendim i rëndë nga PSG. Loja me këmbë? Thjesht justifikime appeared first on Telesport.