ZKA publikon raportin, Komuna e Prishtinës ka dështuar në menaxhimin e pronave publike

Zyra Kombëtare e Auditimit (ZKA) ka publikuar raportin për menaxhimin e pronave komunale në Komunën e Prishtinës, ku ka konstatuar shkelje të shumta dhe mungesë të transparencës në dhënien dhe shfrytëzimin e tyre.

Auditimi, i cili ka mbuluar periudhën janar 2023 – dhjetor 2024, tregon se Komuna nuk ka arritur të menaxhojë si duhet pronat nën administrimin e saj.

Disa nga gjetjet janë: Komuna nuk ka regjistër të plotë të pronave në shfrytëzim, nuk ka miratuar rregullore për dhënien afatshkurtër të pronës, lista e pronave për vitin 2024 nuk është miratuar nga Kuvendi, edhe pse ishte përgatitur.

ZKA ka evidentuar raste ku prona është dhënë ose vazhduar në kundërshtim me ligjin, përfshirë ndryshimin e qëllimit të shfrytëzimit pa miratim të Kuvendit

“Komuna nuk ka zbatuar në mënyrë të plotë kërkesat ligjore gjatë procedurave për dhënien në shfrytëzim të pronës së paluajtshme. Në raste konkrete, qëllimi i shfrytëzimit të pronës është ndryshuar pa miratim nga Kuvendi Komunal, duke anashkaluar kompetencat vendimmarrëse të këtij organi; ndërsa në një rast tjetër, pronës i është vazhduar shfrytëzimi për periudhë afatgjatë në kundërshtim me dispozitat ligjore, përtej kufijve kohorë të lejuar për kategori të caktuara“, thuhet në raport.

Në disa raste, mungojnë kontratat dhe dokumentacioni bazë, si tek banesat për kategori të dala nga lufta dhe tek prona e dhënë për qendrën e arsimit profesional.

Raporti thekson se Komuna nuk ka siguruar monitorim efektiv të kontratave të qirasë, duke lejuar shfrytëzimin e pronës pa kontrata valide dhe mosrealizimin e të hyrave.

Nga mostrat e shqyrtuara, humbjet për buxhetin arrijnë në:

  • 205 mijë euro nga zona industriale;
  • 6 mijë euro nga banesat komunale.

Një tjetër gjetje është se tarifat e aplikueshme janë të vjetruara dhe më të ulëta se çmimet e tregut, duke i shkaktuar komunës humbje të ardhurash të qëndrueshme.

ZKA i dha disa rekomandime Komunës duke i kërkuar edhe zbatimin e ligjit.

“Sigurimin se çdo ndryshim i qëllimit të shfrytëzimit të pronës komunale të bëhet vetëm pas miratimit paraprak nga Kuvendi Komunal, në përputhje me kompetencat e përcaktuara me ligj dhe me qëllim të ruajtjes së transparencës dhe interesit publik. Sigurimin se vendimet për vazhdimin e dhënies në shfrytëzim afatgjatë të pronës komunale të jenë në përputhje me afatet dhe kriteret e përcaktuara në legjislacionin në fuqi, duke parandaluar lidhjen e kontratave në kundërshtim me dispozitat ligjore“, thuhet aty.

 

ZKA përfundon se dobësitë e theksuara në planifikim, zbatim dhe mbikëqyrje rrezikojnë ligjshmërinë, transparencën dhe interesin publik në menaxhimin e pasurisë komunale të Prishtinës.

“Këto dobësi strukturore dhe funksionale rrisin ndjeshëm rrezikun për keqpërdorim të pronës publike, humbje të të hyrave për komunën dhe cenim të integritetit të proceseve të menaxhimit të pasurisë”.

Kujtojmë se edhe në një raport tjetër ZKA kishte gjetur shkelje serioze që lidheshin në menaxhimin financiar për vitin 2024.

Sipas raportit të ZKA-së, në tri raste janë lidhur kontrata pa respektuar procedurat ligjore të prokurimit publik.