Zjarri në Prishtinë, Komuna: U parandalua përhapja në objekte përreth – pati reagim të shpejtë e profesional

Zjarri i cili përfshiu një automjet në Prishtinë mund të përhapej në objekte tjera përreth, tha Komuna në një njoftim.

Reagimi i shpejtë dhe profesional i ekipeve emergjente të kryeqytetit, u tha se e parandaloi më të keqën.

“Edhe pse ditë e diele, ekipet tona të Zjarrfikësve të Kryeqytetit, së bashku me Policinë e Kryeqytetit dhe shërbimet tjera emergjente, u mobilizuan menjëherë për të lokalizuar dhe shuar zjarrin në një automjet në hapësirën tek Tregu i Gjelbër. Falë reagimit të shpejtë dhe koordinimit të të gjitha ekipeve, zjarri u vu nën kontroll brenda një kohe të shkurtër, duke parandaluar përhapjen në objekte tjera përreth dhe duke mbrojtur jetën e qytetarëve tanë”, thuhet në njoftim.

Në vendin e ngjarjes doli edhe drejtori i Drejtorisë për Siguri dhe Emergjenca Lulzim Fushtica.

“Një falënderim i madh për punën e palodhshme të zjarrfikësve, policisë dhe gjithë ekipeve emergjente të Kryeqytetit të cilët gjithmonë janë në shërbim të qytetarëve tanë!”, tha Komuna.