Një zjarr i madh ka shpërthyer në kryeqytetin francez të hënën, ndërsa qindra zjarrfikës u përballen me flakët në një nga fabrikat më të mëdha të riciklimit të qytetit.
“Një zjarr masiv shpërtheu në bodrum në fabrikën Syctom Paris17”, ka bërë të ditur Geoffroy Boulard, kryebashkiak për rajonin e 17-të, të hënën në një postim të përkthyer në X, përcjell Telegrafi.
“I gjithë personeli është evakuuar, po ndërhyhet. Ju lutemi shmangni zonën”, paralajmëroi kryebashkiaku.
Të gjithë punëtorët brenda fabrikës së riciklimit Syctom, e cila ndodhet në bregun e djathtë të lumit Seine në veriperëndim të Parisit, u evakuuan në mënyrë të sigurt.
Fabrika, e cila u hap në vitin 2019, është operatori kryesor publik në Evropë i mbetjeve shtëpiake për afro 1 milion banorë të Parisit.
“Ndërtesa është shkatërruar plotësisht”, tha Boulard për televizionin BFM. “Zjarrfikësit arritën shumë shpejt, por zjarri ka ndodhur nën tokë dhe më pas është përhapur nëpër ndërtesë”.
Shikuesit në të gjithë Parisin ndaluan të hënën për të parë flakët dhe tymin, ashtu si bënë gati gjashtë vjet më parë kur zjarri shkatërroi çatinë dhe majën e katedrales Notre Dame. Pas viteve të restaurimit, Notre Dame u rihap për publikun dhjetorin e kaluar.