Zjarr i qëllimshëm në një market në Drenas, i dyshuar një i mitur nga Holanda

Një person ka raportuar në Policinë e Kosovës se një individ, me qëllim, i ka vënë zjarrin një pjese të sektorit të pijeve në një market në Drenas.

Sipas raportit 24-orësh të Policisë, lidhur me rastin është shoqëruar në stacion policor një i mitur, shtetas i Holandës.

Me vendim të prokurorit, rasti është cilësuar dhe do të procedohet në procedurë të rregullt.

“Ankuesi mashkull kosovar ka raportuar se një person brenda marketit, me qëllim, i kishte vënë zjarrin një pjese të sektorit të pijeve. Njësitë policore kanë dalë në vendin e ngjarjes, ndërsa në stacion policor është shoqëruar i dyshuari i mitur, shtetas i Holandës. Në konsultim me prokurorin, rasti do të procedohet në procedurë të rregullt”, thuhet në raportin 24-orësh të Policisë së Kosovës