Zidane dhe ‘Panenka’ e pavdekshme; kur logjika mposhti frikën në finazlen e Botërorit

Finalja e Kupës së Botës është momenti ku presioni “paralizon” shumicën e lojtarëve. Për Zinedine Zidane ishte edhe çasti i një zgjedhjeje gjeniale, që sot mbetet një nga penalltitë më ikonike në historinë e futbollit. Përballë Gianluigi Buffon, portier që e njihte në detaje, Zidane nuk veproi me çmenduri, por me logjikë të ftohtë dhe intuitë të pastër kampioni. Vetë francezi e ka shpjeguar qartë atë vendim, duke rrëzuar mitin se ‘Panenka’ e tij në finale ishte thjesht guxim i verbër:

“Të gjithë më thoshin se isha i çmendur që e gjuajta penalltinë ashtu, me teknikën ‘Panenka’… Në fakt nuk isha aspak i çmendur. Ishte Buffon në portë, dikush që më njihte mjaft mirë. Ai e di që gjithmonë gjuaj nga e djathta e portierit. Nëse do të isha vërtet i çmendur, do ta gjuaja në atë drejtim, Buffon me siguri do të shkonte aty dhe do ta priste topin. Pra, në atë moment mendova: duhet ta ndryshoj teknikën. Dhe zgjodha ‘Panenka’ e shënova, fatmirësisht”.

Zidane e përjetoi finalen jo si barrë, por si një ndeshje që sapo kishte nisur, duke e zhveshur momentin nga frika: “Po, për të tjerët, ndoshta dukesha i çmendur, sepse ishte finalja e Kupës së Botës. Për mua ishte vetëm minuta e shtatë. Mendova me vete: Është në rregull, ka ende 83 minuta lojë dhe mund ta kompensoj nëse e humbas penalltinë. Gjëja kryesore ishte që nuk gjuajta nga e djathta, sepse Buffon më njeh aty. Për sa i përket pjesës tjetër të historisë, të gjithë e dinë atë”.

Një penallti që nuk ishte çmenduri, por ‘shah’ i luajtur me mendje kampioni.

The post Zidane dhe ‘Panenka’ e pavdekshme; kur logjika mposhti frikën në finazlen e Botërorit appeared first on Telesport.