Presidenti i SHBA-së, Donald Trump, deklaroi se Shtetet e Bashkuara kanë kryer “sulme në shkallë të gjerë kundër Venezuelës” dhe kanë “kapur udhëheqësin e saj, presidentin Nicolás Maduro”,si dhe gruan e tij, përcjell BBC.
Ja deklarata e plotë nga platforma Truth Social:
“Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë kryer me sukses një sulm në shkallë të gjerë kundër Venezuelës dhe udhëheqësit të saj, presidentit Nicolás Maduro, i cili, së bashku me gruan e tij, është kapur dhe është dërguar jashtë vendit.
“Kjo operacion u krye në bashkëpunim me organet ligjzbatuese të SHBA-së. Detaje të tjera do të pasojnë. Do të mbahet një konferencë për shtyp sot në ora 11:00, në Mar-a-Lago. Faleminderit për vëmendjen tuaj! President DONALD J. TRUMP.”
Çka ndodhi?
Venezuela ka hedhur poshtë atë që e ka quajtur “agresion ushtarak” nga Shtetet e Bashkuara, ka bërë të ditur qeveria e presidentit Nicolás Maduro në një deklaratë të publikuar herët të shtunën.
“Në rrugë, popull!” thuhet në deklaratë.
“Qeveria Bolivariane u bën thirrje të gjitha forcave shoqërore dhe politike në vend të aktivizojnë planet e mobilizimit dhe të dënojnë këtë sulm imperialist.”
Në deklaratë shtohet se presidenti Nicolás Maduro ka “urdhëruar zbatimin e të gjitha planeve të mbrojtjes kombëtare.
Presidenti i Kolumbisë kërkon mbledhje urgjente të Këshillit të Sigurimit të OKB-së
Presidenti i Kolumbisë fqinje ka deklaruar në rrjete sociale se Venezuela është nën sulm.
“Për momentin po bombardohet Karakasi… po bombardohet me raketa,” shkroi Gustavo Petro në platformën X, duke kërkuar një seancë urgjente të Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara.
Ai shtoi: “Kolumbia që nga dita e djeshme është anëtare e Këshillit të Sigurimit të OKB-së dhe duhet të mblidhet menjëherë. Të vendoset ligjshmëria ndërkombëtare e agresionit kundër Venezuelës. PMU është aktivizuar në Kukutë dhe plani operacional në kufi.”
Shpërthime, zhurma të forta dhe fluturime të ulëta avionësh janë dëgjuar në kryeqytetin e Venezuelës, Karakas, ndërsa presidenti i Kolumbisë fqinje ka pretenduar në rrjete sociale se vendi është nën sulm, shkruan The Guardian
“Për momentin po bombardohet Karakasi… po bombardohet me raketa,” shkroi Gustavo Petro në platformën X, duke bërë thirrje për një seancë urgjente të Këshillit të Sigurimit të OKB-së.
Sipas Associated Press, rreth orës 2 të mëngjesit me kohën lokale u dëgjuan të paktën shtatë shpërthime dhe banorë nga lagje të ndryshme dolën në rrugë.
“E gjithë toka u drodh. Kjo është e tmerrshme. Dëgjuam shpërthime dhe avionë në distancë,” tha Carmen Hidalgo, një punonjëse zyre 21-vjeçare.
Dëshmitarët okularë raportuan se panë tym që ngrihej nga dy instalime kyçe ushtarake në Karakas: aeroporti ushtarak La Carlota, në zemër të qytetit, dhe baza ushtarake Fuerte Tiuna, ku prej kohësh besohet se banon udhëheqësi autoritar i Venezuelës, Nicolás Maduro.
Qeveria e Venezuelës nuk iu përgjigj menjëherë kërkesave për koment.
Shpërthimet vijnë pas një fushate pesëmujore presioni nga SHBA-ja kundër Maduros, e cila sipas shumë analistëve synon rrëzimin e tij nga pushteti. Që nga gushti, Donald Trump ka urdhëruar një grumbullim të madh ushtarak në brigjet veriore të Venezuelës dhe ka kryer një sërë sulmesh ajrore vdekjeprurëse ndaj të ashtuquajturave “anije narkotike”.
Shtëpia e Bardhë dhe Pentagoni nuk iu përgjigjën menjëherë kërkesave për koment të shtunën në mëngjes.
Trump ka premtuar vazhdimisht operacione tokësore në Venezuelë, në kuadër të përpjekjeve për të detyruar Maduron të largohet nga pushteti, përfshirë zgjerimin e sanksioneve, rritjen e pranisë ushtarake amerikane në rajon dhe mbi dy duzina sulmesh ndaj anijeve të dyshuara për trafik droge në Oqeanin Paqësor dhe Detin e Karaibeve.
SHBA-ja ka sekuestruar gjithashtu cisterna nafte të sanksionuara pranë brigjeve të Venezuelës, ndërsa Trump ka urdhëruar bllokimin e të tjerave, një veprim që duket se synon të shtrëngojë më tej ekonominë e vendit të Amerikës së Jugut.










