Ditor Haliti nga Instituti i Mjekësisë Ligjore ka treguar për zhvarrosjen e mbetjeve mortore që ndodhi të enjten në një lokacion afër Gjakovës e mbetjet e të cilit dyshohet të jenë të luftës së fundit.
Mbetjet eshtërore të gjetura nga zhvarrosja në këtë lokacion që ndodhi me urdhëresë të Departamentit Special të Gjykatës Themelore në Prishtinë, janë dërguar në Institutin e Mjekësisë Ligjore dhe aty do të bëhen ekzaminimet për identifikimin e individit.
“Dje kemi qenë duke zbatuar një urdhëresë nga Departamenti Special i Gjykatës Themelore në Prishtinë në lidhje me zhvarrimin e mbetjeve mortore të një individi, që do të thotë ky ka qenë një zhvarrim i planifikuar kohë më parë dhe të gjitha ekipet e mjekësisë ligjore, së bashku edhe me partnerët ndërkombëtarë nga EULEX, kolegët tanë nga Policia e Kosovës dhe Komisioni Qeveritar për Persona të Zhdukur, kemi qenë në afërsi të Gjakovës ku kemi ekzekutuar këtë urdhëresë dhe kemi zhvarrosur mbetjet mortore të një individi, të cilat pastaj i kemi dërguar në Institutin për Mjekësi Ligjore, ku tani do t’iu nënshtrohen ekzaminimeve mjeko-ligjore në kuptim të identifikimit pikë së pari, që të shohim se për kë bëhet fjalë dhe të bëhen ekzaminimet mjeko-ligjore që të përcaktohet edhe nëse është e mundur shkaku i vdekjes”, tha ai për Ekonomia Online.
Lokacioni tjetër i parë ku do të bëhen gërmime do të jetë Rahoveci, lokacion ky ku gjatë vitit që lamë pasë ishin gjetur mbetjet eshtërore të dy individëve.
“Rahoveci është lokacioni i parë ku do të vazhdojmë punimet, ndërsa më pas kemi edhe një lokacion tjetër në Komunën e Klinës, për të cilin duhet të shohim se kur mund të realizohet. Ndërkohë, kolegët nga Policia e Kosovës do të vazhdojnë punën dhe hetimet e tyre dhe, sapo të kemi informata të reja dhe konkrete, ato adresohen në Prokurori. Më pas Prokuroria i dërgon kërkesën Gjykatës dhe Gjykata na urdhëron që të dalim në gërmime apo zhvarrime eventuale”, shtoi Haliti.
Po ashtu Haiti ka bërë të ditur se janë edhe dy urdhëresa të cilat pritet që të zbatohen, teksa tregoi edhe se gjatë 2025-ës ishin bërë gërmime në 32 lokacione.
“Në vitin e kaluar kemi pasur mjaft aktivitete, diku rreth 32 lokacione janë trajtuar, janë zhvarrosur mbetje mortore të shumë individëve, për të cilat kemi dalë edhe me një konferencë të përbashkët me Komisionin Qeveritar për Persona të Zhdukur. Vitin e kaluar kemi pasur një vit mjaft intensiv në kuptim të aktiviteteve fushore, tani këtë vit kemi filluar menjëherë, se zakonisht kur është stina e dimrit nuk kemi shumë aktivitete fushore, mirëpo këtë vit, meqë ka qenë një aktivitet i planifikuar, kemi dalë në lokacion për ta ekzekutuar këtë urdhëresë. Për momentin kemi edhe dy urdhëresa të pazbatuara, të cilat duhet t’i planifikojmë në zbatim posa të jetë e mundur. Njëra është në Rahovec, të cilën e kemi pasur gjetje gjatë muajit dhjetor të dy individëve dhe ai lokacion ka mbetur ende i papërfunduar dhe posa të krijohen kushtet do të kthehemi sërish në atë lokacion që të vazhdojmë gërmimet dhe të shohim se a kemi mbetje mortore në atë lokacion”, theksoi ai./ekonomiaonline/










