Juventusi vijon përgatitjet nën drejtimin e Igor Tudor. Pas fitores 2-1 ndaj Atalantës në “Trofeo Bortolotti”, me golat e Jonathan David dhe Vlahovic, skuadra bardhezi kreu një seancë stërvitore në “Continassa”. Titullarët bënë punë rikuperuese, ndërsa pjesa tjetër luajti mini-ndeshje.
Sot e ka ditë pushimi, ndërsa të martën do të nisë përgatitjet për ndeshjen e parë zyrtare të sezonit në Serie A, të cilën do ta luajë më 24 gusht kundër Parmës në “Allianz Stadium”. Në merkato, drejtuesit bardhezinj po punojnë në disa fronte. Largimet janë në qendër të vëmendjes, por një sy mbahet edhe nga afrimet.

Nëse largohet Nico Gonzalez, që pëlqehet nga Atletico Madridi dhe vlerësohet rreth 30 milionë euro, Juventusi do të synojë një tjetër sulmues krahu. Pikërisht për këtë, klubi është interesuar për Edon Zhegrovën e Lille, i ndjekur gjithashtu edhe nga Marseille.
Kontakti me agjentët e yllit të Kosovës kanë nisur dhe mund të ketë zhvillime të reja. Ndërkohë, Kenan Yildiz konsiderohet e ardhmja e Juventusit. Fillimisht ishte menduar largimi i tij, por John Elkann vuri veton, duke e shpallur turkun si një nga shtyllat e së ardhmes.
Edhe pas interesimit të Chelsea në qershor, Juve refuzoi çdo bisedë. Me ardhjen e Comolli, kanë nisur negociatat për rinovimin e kontratës së talentit të lindur më 2005. Yildiz dëshiron të qëndrojë në Torino dhe marrëveshja e re pritet të mbyllet së shpejti.
The post Zhegrova në “radarin” e bardhezinjve, Yildiz shpallet i paprekshëm appeared first on Telesport.










