Qeveria federale dëshiron të investojë miliarda në infrastrukturën e transportit. Por paratë nuk janë të mjaftueshme për të gjitha projektet. Zgjerimi i autostradave rrezikon të ndalet.
Sa mund dhe duhet të shpenzojë shteti e për cilat projekte? Drafti i ministrit Federal të Financave dhe Zëvendëskancelari, Lars Klingbeil (SPD) për buxhetin e vitit 2026 po diskutohet dhe pritet të miratohet nga deputetët në fund të nëntorit. Një gjë është që tani e qartë: debatet nuk do të jenë të lehta. Shumë ministri duhet të operojnë me buxhete të reduktuara ndjeshëm, sepse të ardhurat nga taksat nuk janë të mjaftueshme për të mbuluar shpenzimet qeveritare.
Në fillim të diskutimeve për buxhetin, Klingbeil foli për kohë të vështira. Qeveria e CDU/CSU dhe SPD do të duhet të marrë “vendime të guximshme dhe ndonjëherë të pakëndshme”. “Do të jetë e lodhshme, do të jetë sfiduese”. Borxhi është i madh. Ka qenë vetëm më i lartë gjatë pandemisë së koronavirusit.
Gërmimet të fillojnë sa më shpejt?
Ministria Federale e Transportit fillimisht nuk ishte shqetësuar se do të prekej nga shkurtimet buxhetore, pasi rinovimi i infrastrukturës së rrënuar shihet si përparësi kryesore. Qeveria sapo ka miratuar një fond special prej 500 miliardë eurosh, të financuar nga borxhi, për infrastrukturën dhe mbrojtjen e klimës. “Vendi ynë është shkatërruar nga masat shtrënguese kursyese në shumë fusha. Ne duam që ekskavatorët të fillojnë punën sa më shpejt”, ishte kredoja e Ministrit të Financave Klingbeil.
Prandaj ministri i Transportit Patrick Schnieder (CDU) priste që ministria e tij të përfitonte jashtëzakonisht shumë nga ky fond special. Rrugët e transportit, d.m.th., autostradat, hekurudhat dhe urat, janë pjesë e infrastrukturës dhe gjendja e tyre nuk është në nivelin e duhur në Gjermani.
Autostradat e Gjermanisë shtrihen afërsisht në 13,200 kilometra. Sipas Ministrisë Federale të Transportit, gjysma e tyre janë të dëmtuara. Duke përfshirë edhe autostradat federale, afërsisht 25,000 kilometra rrugë konsiderohen se kanë nevojë për rikonstruksion. Situata është edhe më kritike për urat e autostradave: Rreth 5,000 ura konsiderohen se kanë nevojë urgjente për riparim ose duhet të rindërtohen. Rrjeti i Deutsche Bahn është aq i rrënuar sa vetëm çdo tren i dytë arrin në destinacionin e tij në kohë.
Vërtet që ministri i Financave, Klingbeil ka ndarë pothuajse dymbëdhjetë miliardë euro nga fondi special për Ministrinë e Transportit në vitin aktual fiskal. Në vitin 2026, kjo shifër pritet të kalojë 21 miliardë euro. Por ajo që Ministri i Transportit Schnieder sigurisht nuk e priste ishte që Klingbeil, në anën tjetër t’i ulte buxhetin aktual të ministrisë me dhjetë miliardë euro, në 28 miliardë euro.
Kritika ndaj ministrit të Financave, Lars Klingbeil
Ndërsa Klingbeil mohon se ka ndërmend të përdorë miliardat e kursyera për të mbushur boshllëqet në buxhet, opozita është tejet kritike. Qeveria kishte premtuar se kreditë nga fondi special do të përdoren vetëm për të financuar investime shtesë. Edhe ministri i Transportit reagoi i zemëruar. Jo vetëm se do të marrë më pak para, por edhe sepse i nënshtrohet kufizimeve shtesë. Përveç urave të autostradave që nuk mund të rinovohen, asnjë projekt ndërtimi ose zgjerimi i ri nuk mund të financohet nga fondi special. Për këtë qëllim është i planifikuar vetëm buxheti normal.
Të zemëruar janë edhe në zonat e prekura nga ngrirja e punimeve të ndërtimit. Landet federale këmbëngulin që qeveria federale të vazhdojë të financojë projektet e planifikuara të ndërtimit dhe rinovimeve. Edhe grupi parlamentar CDU/CSU në Bundestag po e kërkon këtë. Duke pasur parasysh borxhin prej 500 miliardë eurosh, nuk mund t’i shpjegohet askujt se projektet e autostradave që janë gati për ndërtim nuk mund të financohen, tha Steffen Bilger, drejtor parlamentar i grupit të CDU/CSU.
Në një takim të grupit parlamentar, Kancelari dhe kreu i CDU-së Friedrich Merz premtoi më në fund se do të bëhet gjithçka për të mundësuar numër sa më të madh të projekteve të reja të ndërtimit. Kjo tani do të diskutohet me SPD-në në koalicionin CDU/CSU.
Në kërkim të zgjidhjeve kreative
Fjala magjike është fleksibilitet. “Për momentin, struktura e fondit special nuk e lejon ende që ai të shfrytëzohet plotësisht”, tha ministri i Transportit Schnieder në fillim të diskutimeve për buxhetin në Bundestag. “Në procesin parlamentar, tani do të punojmë së bashku për të gjetur zgjidhje dhe fleksibilitet më të madh në investimet në transport.” Fillimisht, rinovimi dhe mirëmbajtja do të jenë përparësia. “Në buxhetet e ardhshme, duhet të përqendrohemi edhe në rritjen e ndërtimit të rrugëve të reja dhe hekurudhave.”
Grupi parlamentar i SPD-së po dërgon sinjale të paqarta për këtë. Drejtori i grupit parlamentar, Dirk Wiese, tha se parimi i “mirëmbajtjes para ndërtimeve të reja” nuk do të thotë, sigurisht, se të gjitha projektet e planifikuara më parë nuk do të zbatohen më. Megjithatë, është gjithashtu përgjegjësi e Ministrit Federal të Transportit të vendosë përparësitë.
Zyra Federale e Auditimit kritikon qeverinë
Debati mbi autostradat dhe autostradat e reja nuk do të jetë e vetmja polemikë në diskutimet e buxhetit të ardhshëm. Kjo edhe pasi Zyra Federale e Auditimit, e cila mbikëqyr mënyrën se si shteti i shpenzon paratë e tij, po kërkon masa më të mëdha kursimi nga qeveria. Qeveria federale shpenzon përtej mundësive thuhet në raportin mbi buxhetin e vitit 2026. Kushdo që planifikon të financojë pothuajse çdo të tretën euro “me kredi” është larg të paturit një sistem të shëndoshë financiar. Ekziston rreziku i një spiraleje borxhi, paralajmëron Zyra Federale.
Ndërkohë, Kancelari Merz e ka paraqitur ndërkohë një ide. “Vetëm investimi publik nuk mund të sigurojë atë që nevojitet në Gjermani dhe nuk mund të kompensojë atë që kemi lënë pas dore vitet e fundit në aspektin e investimeve, përfshirë infrastrukturën tonë.” Ekziston një interes i madh nga investitorët privatë për të investuar në infrastrukturën gjermane. “Pra, këto mund të jenë edhe projekte të përbashkëta midis sektorit publik dhe investitorëve privatë. Ne po planifikojmë të krijojmë projekte më të mëdha PPP (Partneritet Publik Privat) me Ministrinë e Transportit.”/DW