Zgjedhjet shmangin krizën buxhetore vetëm dy muajt e parë të 2026-s

Zgjedhjet e parakohshme të dhjetorit do ta mbajnë shtetin vetëm përkohësisht larg bllokadës financiare. Ligji për menaxhimin e financave publike mundëson që në janar e shkurt të operohet në bazë të projeksioneve të buxhetit të sivjetmë. Por, nëse deri në mars nuk themelohen institucionet e reja, arka e shtetit do të bllokohet.

Kosova do të hyjë në vitin 2026 pa buxhet të miratuar. Por, mbajtja e zgjedhjeve të parakohshme në dhjetor mundëson që në janar e shkurt të operohet në bazë të projeksioneve të buxhetit të sivjetmë.
Bazuar në Ligjin për menaxhimin e financave publike, zgjatja e buxhetit të këtij viti mund të bëhet për dy muajt e parë të vitit të ardhshëm, nëse zgjedhjet mbahen më pak se katër muaj para fillimit të vitit të ri fiskal. Por, kjo nuk do të vlejë edhe për mars, pa një vendim të Kuvendit.

“Nëse një Ligj për Ndarjet Buxhetore për një vit të caktuar fiskal nuk miratohet nga Kuvendi dhe nuk shpallet në mënyrë të rregullt nga personi i autorizuar për këtë shpallje para fillimit të vitit përkatës fiskal, Ligji mbi ndarjet buxhetore i cili ka qenë në fuqi vitin e mëparshëm do të trajtohet sikurse: nëse zgjedhjet e përgjithshme për deputetët e kuvendit janë mbajtur më pak se katër (4) muaj para fillimit të vitit përkatës fiskal: (i) thuajse është zgjatur për të mbuluar dy (2) muajt e parë të vitit të tillë fiskal; dhe (ii) thuajse siguron një ndarje buxhetore për çdo organizatë buxhetore, që është i barabartë me gjashtëmbëdhjetë dhe dy të tretat e përqindjes (16.67 %) të ndarjes buxhetore të siguruar për organizatën e tillë buxhetore nga ligji i ndarjeve buxhetore”, thuhet në këtë ligj.

Presidentja Vjosa Osmani pas vendimit për shpalljen e zgjedhjeve, tha se nuk ka pasur vullnet nga partitë politike për mbajtjen e një seance të Kuvendit për t’i dhënë zgjidhje çështjes së buxhetit dhe as për miratimin e marrëveshjeve ndërkombëtare, që kanë impakt financiar.

“Shpresoj që sa më parë të kemi një Kuvend të ri i cili në seancën e parë pas konstituimit, paradite do të konsituuohet, pasdite menjëherë do ta miratojë edhe buxhetin e Republikës së Kosovës, edhe komisionet përkatëse në mënyrë që menjëherë të fillojnë pagesat për RTK-në”, ka thënë Osmani.
Prej këtij muaji, pa buxhet ka mbetur Radio Televizioni i Kosovës. Shpërndarja e Kuvendit të enjten, pa miratim të raportit të transmetuesit publik, ka pamundësuar alokimin e pjesës së dytë të buxhetit për këtë institucion.

Sindikata e Punëtorëve të RTK-së ka njoftuar se nga e hëna do të nisin grevë të përgjithshme e cila do të zhvillohet çdo ditë nga ora 11:00 deri në ora 13:00.

“Pasi nuk ka Kuvend aktiv, kërkojmë që Qeveria, përkatësisht Ministria e Financave, të marrë vendimin e nevojshëm pa asnjë vonesë. Nëse për zgjedhje gjenden mjete, atëherë duhet të gjenden edhe për RTK-në. Media publike nuk mund të lihet në kolaps”, thuhet në një reagim të Sindikatës së Punëtorëve të RTK-së.

E, shkaku i vonesës së vendimmarrjes në kuvendet komunale dhe pastaj ngërçit politik, Komuna e Prishtinës, Gjilanit dhe Zubin-Potokut kanë funksionuar me projeksione të buxhetit të vitit paraprak.

Ndërmarrja komunale “Trafiku Urban” që funksionon në kryeqytet ka paralajmëruar se nga java e ardhshme mund të pezullohet transporti publik.

“Kjo situatë ka ardhur si rezultat i moslëshimit të mjeteve nga Qeveria e Kosovës, përkatësisht Ministria e Financave, çka ka pamundësuar Komunën e Prishtinës të shlyejë detyrimet ndaj ndërmarrjes. Si rrjedhojë, ‘Trafiku Urban’ po përballet me vështirësi të theksuara financiare, duke cenuar funksionimin operativ dhe aftësinë për të vazhduar ofrimin e shërbimit për qytetarët”, thuhet në njoftimin e “Trafikut Urban”.

Drejtori i Asociacionit të Komunave, Sazan Ibrahimi, tha se nëse nuk do të konstituohen institucionet e reja deri më mars, Kosova do të jetë para kolapsi financiar.

“Institucionet do të kenë buxhet edhe për shkurt. Nëse nuk do të ketë zgjidhje të këtij problemi, nga 1 marsi Kosova rrezikon të jetë para një kolapsi financiar, që nuk ka ndodhur në Kosovën e pasluftës”, ka thënë Ibrahimi.

Nëse deri në mars nuk themelohen institucionet e reja, arka e shtetit do të bllokohet. Kjo do të përcillet me mosekzekutim të pagave për shërbyesit publikë, mosekzekutim të pensioneve, shtesave për fëmijë, asistencës sociale, e të tjera. /Koha.net