Shkruan: Burim Gjaka
Pas më shumë se tetë muajsh pa Kuvend funksional dhe pa Qeveri legjitime të votuar, dhe në mes të një krize të thellë ekonomike e institucionale, Kosova i drejtohet sërish kutive të votimit. Vendi po mbyll një cikël të gjatë e të pasuksesshëm, ku kriza institucionale, e shoqëruar me pasiguri ekonomike, e ka lënë vendin në një bllokadë të zgjatur, ndërsa qytetarët po përballen me pasoja të drejtpërdrejta në jetën e tyre të përditshme.
Dështimi i partisë fituese për të formuar Qeverinë, për shkak të arrogancës ndaj partive opozitare dhe refuzimit për ndarjen e pushtetit, si dhe pamundësia e opozitës për të bashkëpunuar mes vete për zgjedhjen e qeverisë, kanë prodhuar kosto të mëdha financiare dhe sociale. Mungesa e një buxheti të miratuar tashmë ka filluar të ndikojë në pagat e punëtorëve dhe të thellojë pasigurinë ekonomike. Inflacioni i lartë ka rritur çmimet e produkteve bazë, duke e bërë jetesën më të vështirë për shumicën e familjeve.
Megjithëse partia fituese kishte mandatin për formimin e institucioneve, nuk arriti të sigurojë shumicën e nevojshme dhe nuk gjeti gjuhën e përbashkët me partitë tjera për ndarjen e pushtetit, duke mbetur përgjegjëse kryesore për këtë krizë tetëmuajshe, e cila do të bartë pasoja afatgjata. Ajo nuk u tregua e sinqertë me qytetarët dhe partitë e tjera politike, duke e bërë bashkëpunimin pothuajse të pamundur. Edhe ata që ishin të gatshëm për dialog, u përballën me oferta të paqarta dhe kontradiktore, herë-herë duke u premtuar të njëjtat pozita palëve të ndryshme. Do të kishte qenë më e drejtë që partia fituese të pranonte me kohë se nuk kishte shumicën dhe të hapte rrugë për zgjedhje të reja, duke marrë parasysh se edhe opozita nuk mund të siguronte shumicën. Në vend të kësaj, ajo vazhdimisht kërkonte arsye për të akuzuar opozitën, shpesh duke përdorur edhe etiketime të ulëta.
Nga ana tjetër, as partitë opozitare nuk janë pa përgjegjësi, veçanërisht PDK dhe LDK. Të dyja e dinin se LVV nuk mund të formonte Qeverinë, por nuk arritën të gjenin kompromis për të ndërtuar një Qeveri alternative. Ambicia për postin e kryeministrit ndoshta u bë pengesë kryesore. Qytetarët votojnë partitë jo vetëm për të marrë pushtet, por edhe për të kontribuar në ndarjen e tij kur nuk sigurohet shumica e nevojshme. Rregullat e demokracisë imponojnë bashkëpunim ndërpartiak dhe neutralitet, por praktikat e tilla, siç u tregua nga lideri i LDK-së këtë herë, nuk ndihmojnë gjithmonë në zgjidhjen e krizave.
Tashmë vendi është përpara zgjedhjeve të reja, të cilat konsiderohen rrugëdalja e vetme nga bllokada aktuale. Megjithatë, situata nuk garanton një fitues të qartë. Nëse asnjë subjekt politik nuk siguron 61 votat e nevojshme, Kosova rrezikon një cikël të gjatë negociatash, duke shtyrë formimin e Qeverisë, miratimin e buxhetit dhe adresimin e çështjeve urgjente ekonomike.
Përveç formimit të Qeverisë, vendi përballet me sfidën e zgjedhjes së Presidentit, mandati i të cilit përfundon në prill. Ky proces kërkon të paktën 80 vota në Kuvend, një numër i vështirë për t’u siguruar në kontekstin politik aktual. Mosarritja e marrëveshjes mund të shkaktojë një krizë të re kushtetuese.
Në këtë moment kritik, përgjegjësia politike është domosdoshmëri. Partitë duhet të zhvillojnë fushata konstruktive, të shmangin retorikën përçarëse dhe të paraqesin programe të qarta për daljen nga kriza. Pas zgjedhjeve, pjekuria politike dhe gatishmëria për kompromis janë thelbësore për krijimin e një shumice funksionale dhe për zgjedhjen me konsensus të Presidentit.
Një zgjidhje afatgjate mund të jetë ndryshimi i modelit të zgjedhjes së Presidentit. Zgjedhja e tij drejtpërdrejt nga qytetarët mund të shmangë bllokada të ngjashme në të ardhmen, megjithëse kjo kërkon konsensus të gjerë politik. Nga perspektiva qytetare, një reformë e tillë do të krijonte një proces më transparent dhe më pak të varur nga pazaret politike.
Kosova gjendet në një pikë kthese. Zgjedhjet mund të jenë fillimi i një kapitulli të ri, por mund të thellojnë krizën ekzistuese nëse mungon vullneti për bashkëpunim. Stabiliteti institucional varet nga gatishmëria e subjekteve politike për të vendosur interesin e vendit mbi interesat partiake.











