Zgjedhjet e 28 dhjetorit – Angazhohen rreth 100 prokurorë të shtetit

Prokurori i Shtetit ka bërë të gjitha përgatitjet e nevojshme për të realizuar mbrojtjen e votës së lirë të qytetarëve për zgjedhjet e parakohshme parlamentare të 28 dhjetorit, duke garantuar integritetin e procesit zgjedhor.

Sipas njoftim të Zyrës së Kryeprokurorit të Shtetit, thuhet se në këto zgjedhje janë angazhuar së bashku rreth 100 prokurorë të shtetit dhe zyrtarë të sistemit prokurorial, të cilët do të qëndrojnë kujdestarë në gjithë territorin e vendit, deri në përfundim të procesit zgjedhor, me qëllim të procedimit të çdo parregullsie që mund të ndodhë në këto zgjedhje.

“Prokurori i Shtetit i fton qytetarët e Republikës së Kosovës, të gjitha subjektet politike, institucionet apo organizatat e ndryshme, që të denoncojnë tek prokuroritë përkatëse, çdo rast, për të cilin kanë dyshime se po keqpërdoret ose manipulohet vota në çfarëdo mënyre dhe nga kushdo qoftë”, thuhet në njoftim.

Në zgjedhjet e parakohshme për Kuvendin e Republikës së Kosovës, të cilat do të mbahen më 28 dhjetor 2025, marrin pjesë 24 subjekte politike me 1,180 kandidatë për deputetë.

Nga numri i përgjithshëm i subjekteve politike të certifikuara janë:
– 18 parti politike;
– 3 koalicione;
– 2 iniciativa qytetare; dhe
– 1 kandidat i pavarur.

Me qëllim të informimit për ecurinë e procesit të votimit në ditën e zgjedhjeve të parakohshme për Kuvendin e Republikës së Kosovës, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka planifikuar mbajtjen e disa konferencave.

Konferenca e parë do të mbahet në orën 08:00 dhe ka për qëllim të njoftojë qytetarët lidhur me hapjen e qendrave të votimit.

Konferenca e dytë do të mbahet në orën 11:30. Në këtë konferencë do të bëhet e ditur pjesëmarrja në votime deri në orën 11:00 si dhe ecuria e procesit zgjedhor.

Konferenca e tretë do të mbahet në orën 15:30 për të prezantuar të dhënat lidhur me daljen e qytetarëve në votime deri në orën 15:00 dhe ecurinë e procesit zgjedhor deri në atë kohë.

Konferenca e katërt do të mbahet në orën 19:30, ku do të bëhet e ditur përfundimi i procesit të votimit, pjesëmarrja në zgjedhje dhe fillimin e numërimit të fletëvotimeve.

Për orën e saktë të mbajtjes së konferencës së pestë, për publikimin e rezultateve preliminare të subjekteve politike, KQZ-ja do të njoftojë me kohë.

Përveç këtyre konferencave të rregullta, KQZ do të publikojë në platformën e rezultateve statistika nga pjesëmarrja e votuesve në votime, në këto orare: 09:00, 13:00 dhe 17:00./Front Online