Zgjedhje pa legjitimitet: KQZ së shpejti pa mandat, edhe pak ditë afat për emërimin e anëtarëve nga presidentja Osmani

Vetëm deri më 10 prill përbërja aktuale e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, e dalë nga përbërja parlamentare pas zgjedhjeve të 9 shkurtit 2025, ka mandat për të ushtruar funksionet e saj.

Por, nëse nga kjo javë e parë e marsit vendi do të shkojë në zgjedhje të jashtëzakonshme për shkak të dështimit për të zgjedhur Presidentin e ri, legitimiteti i përbërjes aktuale për të organizuar një proces të ri zgjedhor bëhet i diskutueshëm, sepse ajo nuk reflekton zgjedhjet e 28 dhjetorit 2025, por një proces zgjedhor paraprak.

Pavarësisht situatës kritike politike në të cilën ndodhet vendi, presidentja aktuale, Vjosa Osmani nuk ka filluar porcedurën për emërimin e përbërjes së re të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve.

Paparaci ka biseduar me disa nga grupet parlamentare dhe sipas tyre, deri më tani nuk kanë pranuar asnjë kërkesë nga Osmani për të propozuar përfaqësuesit e tyre në KQZ.

Afati se kur përfundon mandati i anëtarëve të KQZ-së dhe të gjitha afatet tjera për emërimin e anëtarëve të rinj, janë të përshkruar qartë në ligjin për zgjedhjet e përgjithshme dhe nuk krijojnë hapësirë për dyshime.

Neni 61 i këtij ligji ka përshkruar hap pas hapi procedurën që duhet të ndiqet nga presidenti i Kosovës për emërimin e anëtarëve të KQZ-së.

Sipas përllogaritjeve të afateve që parashihen në këtë ligj, afati i fundit që presidentja të kërkojë nga grupet parlamentare emrat për anëtarë të KQZ-së është data 11 mars 2026. Grupet parlamentare apo subjektet politike kanë kohë që deri më 18 mars të bëjnë propozimet e tyre, kurse emërimi i tyre nga presidentja duhet të bëhet deri më 23 mars.

Pikënisje e këtij procesi është data e certifikimit të rezultatit të zgjedhjeve – 9 shkurt 2026.

Duke u bazuar në paragrafin e 5 të ligjit për zgjedhjet e përgjithshme, mandati i KQZ-së fillon më së largu deri 60 ditë pas certifikimit të rezultateve të zgjedhjeve, pra deri më 10 prill 2026. Kjo do të thotë se deri në këtë datë, përbërja aktuale e KQZ-së ka mandat ligjor për ushtrimin e detyra dhe funksioneve ligjore.

“Mandati i anëtarëve të KQZ-së është i lidhur me mandatin e ciklit zgjedhor dhe në parim fillon jo më vonë se gjashtëdhjetë (60) ditë pas certifikimit të rezultateve të zgjedhjeve për Kuvend. Fillimi i mandatit sipas këtij paragrafi, nënkupton përfundimin e mandatit paraprak”, thuhet në paragrafin 5.

Ndërkaq, një paragraf më poshtë është e përshkruar procedura që duhet të ndiqet nga Presidenti i shtetit për emërimin e anëtarëve të KQZ-së.

Duke u bazuar në këtë paragraf, presidenti i vendit do të kërkojë nga grupet parlamentare propozimet e tyre për anëtar jo më vonë se 30 ditë pas certifikimit të zgjedhjeve për Kuvend, pra deri më 11 mars 2026.

Grupet parlamentare kanë afat që brenda 7 ditësh të dërgojnë propozimet e tyre, pra deri më 18 mars, kurse emërimi i tyre të bëhet brneda 5 ditësh, pra deri më 23 mars.

Çka pas 10 prillit?

Nëse nga kjo jaw e parw e marsit vendi do të shkojë në zgjedhje të jashtëzakonshme, organizimi i zgjedhjeve do të përballej me mungesë të legjitimitetit dhe vedimmarrja e KQZ-së mund të jetë e kontestueshme.

Ndonëse përbërja aktuale ka mandat deri më 10 prill, vetë organizimi i zgjedhjeve deri në këtë datë paraqet problem substancial, edhe nëse do të relativizohej çështja e përfundimit formal të mandatit pas 10 prillit 2026.

Përbërja akuale e KQZ-së është produkt i zgjedhjeve të 9 shkurtit 2025, ndërsa më 28 dhjetor 2025 është zhvilluar një proces i ri zgjedhor që ka prodhuar një konfigurim të ri të grupeve parlamentare. Si rrjedhojë, struktura ekzistuese e KQZ-së nuk reflekton më raportin aktual të forcave politike në Kuvend.

Organizimi i një procesi të ri zgjedhor nga një përbërje që nuk pasqyron realitetin e fundit elektoral do të cenonte parimin dhe të drejtën e përfaqësimit. Kjo situatë, mund ta bëjë të kontestueshme vendimmarrjen e KQZ-së.

Largohen Kurteshi e Krasniqi

Ende nuk dihet nëse grupet parlamentare do të ri-propozojnë emrat e përfaqësuesve aktualë në KQZ-së, por tashmë dihet se disa nga anëtarët nuk mund të ri-emërohen për shkak të kufizimit ligjor.

“Anëtarët e KQZ-së nuk mund të shërbejnë më sumë se 3 mandate të njëpasnjëshme”, thuhet në pargarafin 4 të nenit 61 të ligjit për zgjedhjet e përgjithshme, dhe disa nga anëtarët kanë arritur këtë kufizim ligjor.

Është e sigurt se Lëvizja Vetëvendosje nuk do të mund ta propozojë anëtarin Sami Kurteshi, kurse Partia Demokratike e Kosovës, Arianit Elshanin, të cilët kanë marrë nga tri mandate deri tani.

Sipas rezultateve të zgjedhjeve të 28 dhjetorit, Vetëvendosje dhe PDK do të përfaqësohen në KQZ me nga 2 anëtarë, kurse LDK dhe AAK me nga një anëtar.

Subjektet politike minoritare, kanë të drejtën e tyre për të propozuar 4 përfaqësues në KQZ.