Zgjedhje në errësirë

Në prag të 28 dhjetorit, Kosova voton mes krizës energjetike dhe paralizës institucionale

Shkruan: Naser Krasniqi

Kosova po shkon në zgjedhje në një kohë që vështirë se mund të quhet normale – jo vetëm për shkak të krizave të njohura, por sepse vendi hyn në proces zgjedhor në kushte errësire reale dhe paralize institucionale. Ndërprerjet e energjisë elektrike janë bërë rutinë, çmimet rriten pa kontroll, ndërsa shteti funksionon më shumë si mekanizëm teknik sesa si autoritet politik me përgjegjësi të plotë.

Qeveria është në detyrë, por qeverisja mungon. Vendimmarrja është zëvendësuar me arsyetime, ndërsa përgjegjësia politike është tretur në fjalime të mëdha dhe heshtje zyrtare. Në këtë realitet, zgjedhjet e 28 dhjetorit nuk shfaqen si kulm i një procesi demokratik të natyrshëm, por si pasojë e drejtpërdrejtë e dështimit për të ndërtuar institucione funksionale dhe të qëndrueshme.

Fushata zgjedhore po zhvillohet pa debat thelbësor për jetën reale të qytetarëve. Energjia, inflacioni, varfërimi, ikja e të rinjve, siguria ekonomike dhe krimi i organizuar përmenden më shumë si slogane sesa si probleme që kërkojnë zgjidhje konkrete. Programet politike janë kthyer në broshura premtimesh, ndërsa viti i humbur institucional nuk ka prodhuar asnjë akt real përgjegjësie.

Opozita, ndërkohë, nuk po arrin të shfaqet si alternativë bindëse. Në vend që ta imponojë debatin publik, ajo shpesh është mjaftuar me reagime të fragmentuara, duke e trajtuar situatën më shumë si mundësi elektorale sesa si sfidë shtetërore që kërkon zgjidhje serioze. Një opozitë që nuk sfidon, nuk propozon dhe nuk mobilizon qytetarin rreth interesit publik nuk është zgjidhje – është pjesë e të njëjtit mosfunksionim.

Partitë politike flasin për fitore, por jo për përgjegjësi. Flasin për përqindje, por jo për shtetin. Flasin për lista, por jo për institucione. Në këtë garë, qytetari mbetet spektator i një loje politike ku rregullat ndryshohen sa herë që rezultati nuk i përshtatet askujt.

Zgjedhjet, në vetvete, nuk janë problem. Problemi është ajo që ndodh pas tyre. Nëse 28 dhjetori prodhon sërish institucione të brishta, pazare politike dhe justifikime të pafundme, atëherë vota nuk do të ketë shërbyer për ndryshim, por vetëm për riciklim të krizës.

Në prag të ndërrimit të motmoteve, Kosova nuk ka nevojë për fjalë të mëdha dhe premtime boshe, por për minimumin e përgjegjësisë politike. Një shtet që nuk garanton energji, siguri ekonomike dhe drejtësi funksionale nuk mund të kërkojë entuziazëm zgjedhor – vetëm durim qytetar.

Më 28 dhjetor, qytetarët nuk po zgjedhin vetëm parti apo kandidatë. Po zgjedhin nëse do të vazhdojnë ta pranojnë mosfunksionimin si normalitet, apo do të kërkojnë llogari – jo me thirrje emocionale, por me vetëdije politike.

Sepse zgjedhjet në errësirë nuk ndriçojnë të ardhmen, nëse pas tyre nuk ka dritë institucionale.