Pikëpyetje e madhe kushtetuese dhe e logjikës demokratike ngjau sot në Kuvend të Kosovës kur Lidhja Demokratike e Kosovës u pajtua të votojë propozimin e Vetëvendosjes për Nënkryetar serb të Kuvendit, përkatësisht postin kushtetuetshmërisht të kodifikuar për komunitetin serb, post ky që propozohet nga numri më i madh i deputetëve serbë që mbajnë ulëse të rezervuara. Lumir Abdixhiku dhe partia vet votuan propozimin e bërë nga Dimal Basha, Kryetar i Kuvendit. Me zgjedhjen e Nenad Rashiq në këtë post, Kuvendi i Kosovës, u shpall i konstituuar. Arsyetimi i LDK-së ishte që “të nis sahati kushtetues” për Albin Kurtit që të zgjedh qeverinë, përkatësisht dështimit të saj, pasi që nuk i ka numrat. Por, ndonëse para një muaji as që morën pjesë në votimin për Nenad Rashiq, pasi që gjykuan se gjendja ishte tërësisht jo-kushtetuese, pas një “analize ligjore të juristëve tanë”, Hykmete Bajrami e LDK-së tha se erdhën në konstatim se “bën Rashiqi”. Dejona Mihali e Vetëvendosjes, përkatësisht e investuara me pushtet nga Albin Kurti, LDK-në e hoqi nga lista e “tradhtarëve”, ndërsa këtë kategorizim ia dha PDK-së dhe AAK-së që nuk votuan Nenad Rashiqin. LDK gjeti pak paqe. Ish-Kryetari i LDK-së, Isa Mustafa, në një përgjigje për Nacionale, tha se “dyshoj që kjo zgjedhje” ishte kushtetuese. Asnjë ambasadë apo organizatë ndërkombëtare gjer më tash nuk e kanë “përshëndetur” kuvendin e shpallur të konsituuar.
…
Afrim Kasolli, filozof dhe ish-deputet i Vetëvendosjes, pati kritika dhe shterrim të logjikës së Lumir Abdixhikut – për të cilin tha se “u pajtua se tash e tutje ky propozim është kompetencë e Dimal Bashes”; dhe pa “mashtrim të dyfishtë”.
“Ky maskim paraqet një mashtrim të dyfishtë. Sikur, Lumiri të ishte nisur vetëm nga ato shqetësime që i permend, ai do të votonte pa hezitim edhe kandidatin e Listës Serbe, votim i cili do të ishe shumë me afër normave kushtetutese dhe praktikës së deritanishme parlamentare në themelimin e Kryesisë së Kuvendit. Pavarësisht se i njëjti a do t’i fitonte votat apo jo? Dhe kur t’i vinte radha Nenad Rashiqit atëherë ta vazhdonte të votonte në fund edhe për të njëjtit”, tha Kasolli.
“Mirëpo, LDK-ja e Lumirit zgjodhi të abstenonte në rastin e parë së bashku me partitë tjera shqiptare, sepse ky ishte qëndrimi i Albin Kurtit. Pra qëllimi ishte që të shmangej etiketimi nga ky i fundit si ithtar i Listes Serbe. Dhe në fund të deshmohej para opioninonit se Lumiri vazhdon të jetë një dishepull besnik i narracionit të Albin Kurtit”, shtoi më tej ai.
Ish-kryetari i Gjykatës Kushtetuese, Enver Hasani, ka deklaruar se zgjedhja e Nenad Rashiqit si nënkryetar i Kuvendit të Kosovës është antikushtetuese dhe kundër interesave të vendit.
“Ka bazë të fortë kushtetuese për kontestimin e zgjedhjes së sotme të zotit Rashiq. Kjo zgjedhje ka qenë skandaloze, fund e krye jokushtetuese”, ka thënë Hasani për Kosovapress.
Sipas tij, interpretimi i sotëm i aktgjykimit të Gjykatës Kushtetuese është problematik. “Rezultati final i kësaj politike është federalizimi i Kosovës. Autonomia e Ohrit e vitit 2023, me këtë politikë, po shndërrohet në federalizim të plotë të Kosovës”, ka paralajmëruar ai.
Hasani ka vlerësuar se Kuvendi nuk është i konstituuar rregullisht. “Rashiqi është serb, por nuk përfaqëson komunitetin serb për qëllimet e konstituimit të Kuvendit të Kosovës. Nënkryetari serb propozohet nga partia që ka fituar shumicën e votave nga radhët e deputetëve të komunitetit serb”, ka sqaruar ish-kreu i Kushtetueses.
Ai ka shtuar se Lista Srpska, si përfaqësuese e serbëve të Kosovës, e ka zbatuar aktgjykimin dhe Kushtetutën me përpikëri, ndërsa “dështimi i zgjedhjes së nënkryetarit serb nga kandidatët e propozuar nuk mund t’u atribuohet deputetëve serbë”.
Hasani ka paralajmëruar se nëse çështja përfundon në Gjykatën Kushtetuese, “është e vështirë që një zgjedhje e tillë të shpallet kushtetuese”.










