Gjykata Kushtetuese e ka miratuar masën e përkohshme, të cilën e ka kërkuar Lista Serbe në lëndën që e ka dorëzuar në javën e kaluar.
Burimet e gazetës Nacionale brenda Kushtetueses kanë bërë me dije se miratimi i masës ka ndodhur sot.
Kjo masë ka për qëllim që të ndalë rrjedhën e afatit prej 30 ditësh në procesin e konstituimit të Kuvendit, afat ky caktuar në aktgjykimin e dytë të Gjykatës Kushtetuese.
Javën e kaluar, Lista Serbe ka dorëzuar kërkesë të re në Gjykatën Kushtetuese, duke e kontestuar mënyrën se si është zhvilluar procesi i zgjedhjes së nënkryetarëve të Kuvendit nga radhët e komuniteteve jo-shumicë.
Në këtë parashtresë, subjekti politik serb ka kërkuar që votimi të kthehet në pikën fillestare dhe të zhvillohet si një proces i unifikuar, pra në formë “pakete”, në përputhje me praktikat e mëhershme parlamentare.
Gjithashtu, në kërkesën e saj partia serbe ka kërkuar vendosjen e një mase të përkohshme nga Kushtetuesja, me arsyetimin se rrezikohet rrjedhja e afateve ligjore për formimin e qeverisë së re.
“Të caktojë, duke pasur parasysh interesin publik, masën e përkohshme, me të cilën do të ndalojë veprimet e mëtejshme kundërkushtetuese të Kryetarit te Kuvendit, në mënyrë që të mos zgjidhet Qeveria kundërkushtetuese ose të fillojnë të rrjedhin afatet për zgjedhjen e Qeverisë së Kosovës, për shkak se moscaktimi i masës së përkohshme do të shkaktonte dëme të pariparueshme dhe potencialisht do të çonte në formimin e institucioneve kundërkushtetuese, duke cenuar kështu rendin juridik dhe demokratik në Kosovë.”, është thënë në kërkesë.
Në dokumentin që ka siguruar KALLXO.com, Lista Serbe pretendon se kryetari i Kuvendit ka shkelur nenin 67 të Kushtetutës, si dhe disa dispozita të Rregullores së Punës së Kuvendit.
Sipas kërkesës së Listës Serbe, shkelja kryesore lidhet me faktin se kryetari i Kuvendit fillimisht u ka dhënë mundësinë komuniteteve të tjera jo-shumicë për të propozuar kandidatin për nënkryetar, ndonëse Kushtetuta dhe Rregullorja përcaktojnë qartë se e drejta e parë e propozimit i takon komunitetit serb.
“Kryetari i Kuvendit ka shkelur kompetencat e tij dhe se ai, në kundërshtim me Kushtetutën dhe Rregulloren e Punës së Kuvendit, së pari i ka ftuar komunitetet e tjera jo-shumicë të bëjnë propozimin, edhe pse në Kushtetutën dhe Rregulloren e Punës së Kuvendit është përcaktuar qartë se propozimi i parë para komuniteteve jo-shumicë paraqitet nga komuniteti serb.”, është thënë kërkesën e Listës Serbe.
Kjo është lënda e tretë që dërgohet në Gjykatë Kushtetuese në lidhje me konstituimin e legjislaturës së nëntë.
Lëndën e parë e kishte dërguar AAK-ja, kurse lëndën e dytë e kishin dërguar PDK-ja dhe LDK-ja.
Në të dy aktgjykimet e para Kushtetuesja kishte konstatuar shkeljen e Kushtetutës nga kryesuesi i seancës konstituive dhe VV-ja.