Edhe pse ka dhënë dorëheqje nga posti i Ministrit të Bujqësisë për të kandiduar në Mitrovicë, Faton Peci po vazhdon të veprojë sikur të ishte ende ministër aktiv, duke shfrytëzuar veturat dhe resurset publike të ministrisë në mënyrë të hapur dhe sfiduese ndaj ligjit, shkruan Demokracia.com.
Dokumentet zyrtare tregojnë se vendimet e Ministrisë së Bujqësisë tashmë po nënshkruhen nga zëvendësministri i tij serb, Lazar Raduloviç, çka do të thotë se Faton Peci nuk ka më autorizim zyrtar për të ushtruar kompetenca shtetërore.
Megjithatë, Faton Peci në terren po vazhdon të vozitet me veturën zyrtare që e ka përdorur edhe në të kaluarën, të njëjtën veturë që ishte sekuestruar më herët në rastin “Burdushi”. Edhe fotot e sotme të siguruara nga Demokracia.com dëshmojnë se kjo veturë po vazhdon të jetë nën kontrollin e tij personal, pavarësisht dorëheqjes.
Madje, me parkimin që sot i ishte bërë kësaj veture, ishte zënë edhe hyrja e Ministrisë së Bujqësisë.
E njëjta veturë ishte parë edhe mbrëmë duke u kthyer nga Mitrovica, me të cilën ishte tejkaluar kolona e veturave.
Ky është edhe një precedent tjetër skandaloz për shtetin, pasi një ministër i dorëhequr vazhdon të shfrytëzojë pasurinë publike si pronë personale.
Përdorimi i veturava shtetërore për fushatë zgjedhore përbën shkelje të barazisë politike dhe abuzim të pastër me detyrën publike.
Fakti që një kandidat zgjedhor vazhdon të udhëtojë me veturë të ministrisë, ndërsa nënshkrimet po bëhen nga një zyrtar tjetër, është dëshmi e kapjes institucionale dhe përdorimit të shtetit për interesa personale dhe partiake. /Demokracia.com/