Zemaj: VV s’po e pranon humbjen, nuk i ka numrat – le t’i marrin votat e Listës Serbe hapur, jo fshehurazi

Deputeti i LDK-së, Armend Zemaj, ka akuzuar Lëvizjen Vetëvendosje se po refuzon ta pranojë humbjen dhe po e zvarrit procesin e konstituimit të institucioneve të reja edhe pas 22 seancave të pasuksesshme të Kuvendit.

“VV-ja nuk po e pranon humbjen. Tash dikush mund të thotë se ka dalë partia e parë, por nuk po e pranon logjikën që ka humbur. Ai [Kurti] është mësuar me atë 50 përqindëshin që e ka pasur bashkë me minoritetet, në fillim edhe me Listën Serbe”, ka deklaruar Zemaj në emisionin FIVE.

Ai ka theksuar se VV-ja është futur në konfuzion dhe se pretendimet për numra për të zgjedhur Qeverinë nuk po përputhen me realitetin.

“Kanë deklaruar se i kanë numrat për me zgjedh kryetarin dhe Qeverinë, por kaluan 22 seanca dhe ata numra nuk duken askund”, ka shtuar Zemaj, duke thënë se nëse kanë marrëveshje me Listën Serbe, le ta bëjnë hapur dhe jo përmes votimit të fshehtë.