Zyrtarët evropianë do të vendosin këtë fundjavë nëse Volodymyr Zelensky do të shoqërohet gjatë vizitës së tij në Uashington nesër.
Ata janë të interesuar të shmangin skenat kaotike të shfaqura para shtypit botëror në Shtëpinë e Bardhë në shkurt, kur Donald Trump u përfshi në një debat me të bërtitura me liderin ukrainas, duke i thënë atij të bënte një marrëveshje me Rusinë “ose ne tërhiqemi” dhe duke paralajmëruar se Zelensky “po luante kumar me luftën e tretë botërore”.
Zelensky u largua herët nga Shtëpia e Bardhë pasi Trump e kishte qortuar ashpër, gjë që erdhi pas një “pritje” të organizuar nga zëvendëspresidenti JD Vance, skeptik i mbështetjes amerikane për Ukrainën.
Sipas Politico, për të parandaluar një përplasje tjetër të mundshme dhe për të siguruar një përfshirje më të madhe të Evropës në negociata, presidenti finlandez Alexander Stubb – dhe ndoshta sekretari i përgjithshëm i NATO-s, Mark Rutte – mund ta shoqërojnë Zelensky-n gjatë udhëtimit të tij në Uashington nesër, përfshirë edhe Ursula von der Leyen, të cilën kanë një marrëdhënie të mirë me presidentin amerikan.
Kryeministri i Mbretërisë së Bashkuar, Keir Starmer, ka konfirmuar se do të jetë pjesë e grupit që do të marrë pjesë në takimin në Shtëpinë e Bardhë midis Presidentit Trump dhe Presidentit Zelensky nesër.
Kjo vjen pas njoftimeve nga liderë të tjerë evropianë, përfshirë kancelarin gjerman Friedrich Merz, i cili e bëri të ditur mëngjesin e sotëm se do të marrë pjesë.
Kryeministrja italiane, Giorgia Meloni, gjithashtu do t’i bashkohet delegacionit që do të udhëtojë nesër drejt Uashington DC për takimin në Shtëpinë e Bardhë mbi çështjen e Ukrainës.