Zelensky takon të dërguarin e Trumpit: Jemi gati për një marrëveshje të fuqishme

Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky, ka deklaruar se është i gatshëm për marrëveshje “të fuqishme” me Rusinë, duke kërkuar që të jepen garanci për zbatimin e saj nga fuqitë e mëdha perëndimore.

Pas takimit me të dërguarin e Shteteve të Bashkuara të Amerikës për Ukrainë, Keith Kellogg, Zelensky ka thënë në rrjetin social X se Ukraina ka kërkuar paqe “që në sekondën e parë të luftës”.

“Ukraina ka kërkuar paqe që në sekondën e parë të kësaj lufte dhe ne mund dhe duhet ta bëjmë paqen të besueshme dhe të qëndrueshme, në mënyrë që Rusia të mos kthehet më kurrë në luftë. Ukraina është gati për një marrëveshje të fuqishme, vërtet të dobishme, me presidentin e SHBA-së për investime dhe siguri”, ka thënë Zelensky.

Presidenti ukrainas ka shtuar se ekipi i tij është i gatshëm 24 orë në shtatë ditë të javëve, derisa tha se ka dhënë një propozim “për mënyrën më  të shpejtë dhe më konstruktive për të arritur një rezultat”.

“Suksesi bashkon. Të gjithë në botë kanë nevojë për sukses në raportet e tyre me Shtetet e Bashkuara të Amerikës”, ka shtuar ai.

Zelensky e ka falënderuar të dërguarin e presidentit Donald Trump për punën e përbashkët drejt arritjes së rezultateve.

Presidenti amerikan, Donald Trump, ka thënë se ai beson se Rusia “i ka kartat” në çdo bisedim paqeje për t’i dhënë fund luftës në Ukrainë, sepse ajo “ka marrë shumë territor”.

Trumpi i ka thënë BBC-së se ka besim që Moska dëshiron të shohë një fund të luftës, të cilën Rusia e filloi gati tre vjet më parë.

Këtë deklaratë Trumpi e ka bërë teksa po kthehej në Uashington DC pasi mbajti një fjalim në një takim për investime të mbështetur nga Arabia Saudite në Florida, ku e quajti presidentin ukrainas, Volodymyr Zelensky “diktator” për herë të dytë brenda një dite.

Trumpi është zemëruar pasi Zelensky, duke reaguar ndaj bisedimeve SHBA-Rusi në Arabinë Saudite, nga të cilat Kievi u përjashtua, ka deklaruar se presidenti amerikan “po jetonte në një hapësirë dezinformimi” të qeverisur nga Moska.

“Unë mendoj se rusët duan të shohin fundin e luftës. Mendoj se ata i kanë pak kartat, sepse ata kanë marrë shumë territor”, ka thënë Trumpi për BBC-në në Air Force One.