Zelensky: Rusia nxitoi të rifillojë dialogun sapo u përmenden raketat Tomahawks

Presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky është në Uashington para takimit të premten me Donald Trump.

Ai thotë se Ukraina “po mbështetet në vrullin që funksionoi në dhënien fund të terrorit në Lindjen e Mesme, i cili do të ndihmojë në dhënien fund të luftës me Rusinë”.

Duke folur pasi Trump konfirmoi se së shpejti do të takohej me Vladimir Putin në Budapest, Zelensky tha se “gjuha e forcës dhe drejtësisë do të funksionojë në mënyrë të pashmangshme kundër Rusisë”.

Ai gjithashtu sugjeroi që Rusia po “nxiton të rifillojë dialogun vetëm pasi dëgjoi për Tomahawks” – një referencë për vendimin e afërt nga Uashingtoni nëse do t’i japë Kievit qasje në raketat me rreze të gjatë veprimi apo jo.

Kujtojmë se Kremlini ka bërë të ditur se Vladimir Putin e paralajmëroi Donald Trumpin gjatë telefonatës së tyre se dhënia e raketave Tomahawk për Ukrainën do të dëmtonte lidhjet SHBA-Rusi dhe procesin e paqes.

Presidenti rus i tha gjithashtu Trump se forcat e Moskës aktualisht kanë “iniciativë të plotë strategjike” përgjatë gjithë vijës së frontit në Ukrainë, u ka thënë gazetarëve ndihmësi i Kremlinit Yuri Ushakov.

Ushakov bëri të ditur se një samit i ri i planifikuar midis dy presidentëve do të paraprihet nga një telefonatë midis sekretarit të shtetit të SHBA-së, Marco Rubio, dhe ministrit të jashtëm të Rusisë, Sergei Lavrov, në ditët në vijim.

Ai tha gjithashtu se telefonata, e cila zgjati pak më pak se dy orë e gjysmë, u zhvillua me iniciativën e Rusisë.