Bisedimet në Gjenevë midis SHBA-së dhe Ukrainës që synojnë t’i japin fund luftës me Rusinë kanë përfunduar, me zyrtarë nga të dyja palët që raportojnë “përparim” dhe një qëllim për të vazhduar punën.
Megjithatë, nuk kanë dalë detaje se si të kapërcehet hendeku i konsiderueshëm midis Moskës dhe Kievit mbi çështjet territoriale dhe garancitë e sigurisë për Ukrainën.
Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky, përshëndeti “hapat e rëndësishëm” që ishin bërë, por paralajmëroi se “problemi kryesor” me të cilin përballen bisedimet e paqes ishte kërkesa e Vladimir Putinit për njohje ligjore të territoreve të pushtuara nga Rusia në Ukrainën lindore.
“Kjo do të thyente parimin e territorit dhe sovranitetit”, tha ai, duke theksuar shqetësimet se Moska mund të shpërblehet për agresionin e saj me tokën që ka pushtuar me forcë.
Ndërkohë, presidenti Donald Trump sugjeroi në mediat sociale se “diçka e mirë mund të jetë duke ndodhur”, por me kushtin: “Mos e besoni derisa ta shihni”.
Bisedimet në Gjenevë nuk përfshinë përfaqësues rusë dhe Kremlini tha se nuk kishte marrë asnjë informacion mbi rezultatin e diskutimeve.
Zëdhënësi Dmitri Peskov vuri në dukje se Moska ishte në dijeni se planit, i cili ishte mirëpritur nga Putini, iu bënë “rregullime”.
Kujtojmë se një plan paqeje me 28 pika i hartuar nga zyrtarët amerikanë dhe rusë iu prezantua Ukrainës javën e kaluar.
Disa nga elementët e tij dukeshin shumë të orientuar drejt kërkesave të hershme të Moskës, duke shkaktuar shqetësim në Kiev dhe aleatët e saj evropianë.
Komentet e Trump, të cilat sugjeruan se Ukraina kishte afat deri të enjten për të pranuar marrëveshjen ose do të përballej me shkurtime serioze të mbështetjes amerikane, kontribuan në krijimin e një ndjenje urgjence në të gjithë Evropën dhe bisedimet midis Ukrainës dhe zyrtarëve amerikanë u zhvilluan me nxitim.
Dhe të dielën në mbrëmje, Sekretari i Shtetit i SHBA-së, Marco Rubio, tha se në bisedime ishte bërë një përparim “i jashtëzakonshëm”. “Unë sinqerisht besoj se do të arrijmë atje”, tha ai.
Por disa udhëheqës evropianë kanë qenë më të kujdesshëm.
“Nuk jam i sigurt nëse jemi më afër paqes”, tha kryeministri polak Donald Tusk, ndërsa kancelari gjerman Friedrich Merz theksoi se diskutimet do të ishin një “proces i gjatë dhe afatgjatë” dhe se ai nuk priste ndonjë përparim këtë javë.
Ndërkohë, një kundërpropozim – i hartuar sipas raportimeve nga Britania, Franca dhe Gjermania – përjashtoi çdo njohje të rajoneve të mbajtura nga Rusia, rriti madhësinë e lejuar të ushtrisë së Ukrainës dhe la derën hapur për anëtarësimin e Ukrainës në NATO.
Rubio tha se nuk ishte në dijeni të planit dhe të hënën, ndihmësi i politikës së jashtme të Kremlinit, Yuri Ushakov, e quajti atë “krejtësisht jokonstruktiv”.











