Zelensky kërkon paqe urgjente me Rusinë

Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky, ka kërkuar paqe sa më shpejt që është e mundur me Rusinë, duke shtuar se janë duke punuar me Shtetet e Bashkuara dhe Evropën për të arritur këtë.

Zelensky ka shkruar në rrjetin social X se është duke punuar me partnerët në arritjen e paqes, teksa tha se është e rëndësishme diplomacia “për t’i dhënë fund luftës sa më shpejt”.

“Ne kemi nevojë për paqe të vërtetë dhe ukrainasit e duan më së shumti sepse lufta shkatërron qytete dhe qytezat tona. Ne humbasim njerëzit tanë. Duhet ta ndalojmë luftën dhe të garantojmë sigurinë. Ne po punojmë bashkërisht me Amerikën dhe partnerët tanë evropianë dhe shpresojmë shumë në mbështetjen e SHBA-së në rrugën drejt paqes. Paqja është e nevojshme sa më shpejt të jetë e mundur”, ka deklaruar ai.

Zelensky ka thënë se skenari aktual është ruajtja e pozicioneve dhe krijimi i kushteve për “diplomaci për të arritur fundin sa më të shpejtë të kësaj lufte me një paqe të drejtë”.

“Ne kemi nevojë për paqe, paqe të vërtetë dhe të ndershme – jo luftë pa fund. Dhe garancitë e sigurisë janë thelbësore. Mungesa e garancive të sigurisë për Ukrainën 11 vjet më parë lejoi Rusinë të fillonte pushtimin e Krimesë dhe luftën në Donbas. Më vonë, mungesa e garancive të sigurisë i lejoi Rusisë të nisë një pushtim në shkallë të gjerë, e tani, për shkak të mungesës së garancive të qarta të sigurisë, Rusia vazhdon të ushqejë këtë luftë”, ka deklaruar presidenti i Ukrainës në një video mesazh.

Gjatë së hënës, presidenti amerikan, Donald Trump, i ka vazhduar sulmet ndaj Zelenskyt, duke u shprehur se ai s’është i interesuar për paqe me Rusinë. Gjuha e ashpër drejtuar nga zyrtarët amerikanë ka nisur nga takimi në Zyrën Ovale të premten (28 shkurt).