Nëse presidenti amerikan, Donald Trump arrin të sjellë Ukrainën dhe Rusinë në tryezën e negociatave, Volodymyr Zelensky ka thënë se planifikon t’i ofrojë Rusisë një shkëmbim të thjeshtë territori.
Presidenti ukrainas është i gatshëm të heq dorë nga toka që Kievi e ka okupuar në rajonin rus të Kurskut që nga fillimi i ofensivës së papritur gjashtë muaj më parë.
“Do të shkëmbejmë një territor me një tjetër”, tha ai, por shtoi se nuk e di se cilën pjesë të territorit të pushtuar do të kërkonte në këmbim Ukraina.
“Nuk e di, do të shohim. Por, të gjitha territoret tona janë të rëndësishme, nuk ka përparësi”, theksoi ai, shkruan theguardian.
Ndërsa Zelensky përpiqet të fitojë mbështetjen e Trumpit, ai tha se është ende herët për një vlerësim përfundimtar të administratës së mëparshme. Marrëdhëniet midis Kievit dhe Uashingtonit thuhet se janë ftohur gjithnjë e më shumë, pasi ekipi i Zelenskyt është irrituar me fokusin e administratës së kaluar amerikane të Joe Bidenit në menaxhimin e rreziqeve të përshkallëzimit.
I pyetur nëse mendon se Biden do të mbahet mend në histori si njeriu që ndihmoi në shpëtimin e Ukrainës apo si ai që reagoi shumë vonë ndaj sfidës nga Rusia, Zelensky qeshi dhe tha se është “shumë e vështirë” ta vlerësosh këtë tani.
Ai kritikoi hezitimin fillestar të Bidenit për t’i siguruar Ukrainës armë – “ajo pasiguri i dha Rusisë vetëbesim shtesë” – por shtoi se Ukraina është mirënjohëse për të gjithë ndihmën që ka pasuar.
Vlerësimi përfundimtar, tha ai, do të vijë vetëm me kalimin e kohës “historia tregon se ka shumë gjëra që nuk i dini – çfarë ndodhte prapa skenave, çfarë negociatash janë zhvilluar… Është e vështirë të gjykohet sot sepse nuk dimë gjithçka. Më vonë do ta dimë, do t’i dimë të gjitha”.
Ndryshe, Rusia ka nisur pushtimin e shtetit ukrainas më 24 shkurt të vitit 2022