Ukraina është e hapur për “investime” nga aleatët për sa kohë që ata e ndihmojnë atë të luftojë Rusinë, ka deklaruar presidenti Volodymyr Zelensky, pasi presidenti, Donald Trump, kërkoi që Kievi të furnizonte SHBA-në me burime të rralla të tokës, elementë kritikë të përdorur në elektronikë, në këmbim të ndihmës ushtarake.
Propozimi i presidentit amerikan është kritikuar si shfrytëzim i pushtimit të Rusisë për përfitime materiale, teksa kancelari gjerman, Olaf Scholz, e ka quajtur planin “egoist”. Megjithatë, media ukrainase “Kyiv Independent” ka raportuar se ideja mund të ketë origjinën në Kiev si një shtytje për të ruajtur dërgesat amerikane të armëve, raporton The Guardian.
Duke folur me gazetarët në Shtëpinë e Bardhë të hënën, Trumpi ka thënë se donte “barazim” nga Ukraina për mbështetjen me “afër 300 miliardë dollarë” nga Washingtoni.
“Ne po i themi Ukrainës se ata kanë ‘toka të rralla’ shumë të vlefshme. Ne po kërkojmë të bëjmë një marrëveshje me Ukrainën ku ata do të na e kthejnë atë që ne po u japim, me tokat e tyre të rralla dhe gjëra të tjera.”
Ishte e paqartë nëse Trumpi donte të thoshte një marrëveshje në të cilën Ukraina e furnizon atë me minerale pa pagesë në këmbim të ndihmës ushtarake të SHBA-së, ose thjesht pranon t’i shesë ato, ndoshta me një normë të favorshme.
“Vendi është i hapur për investime nga partnerët që na ndihmojnë të mbrojmë tokën tonë dhe të shtyjmë armikun prapa me armët e tyre, praninë e tyre dhe paketat e sanksioneve. Dhe kjo është absolutisht e drejtë”, ka deklaruar të martën Zelensky kur është pyetur për propozimin.
Zelensky ka shtuar se ai e kishte diskutuar më parë këtë çështje me Trumpin dhe se ekipet e tij po përgatiteshin për një vizitë nga një delegacion amerikan.
“Toka të rralla” është një term që përdoret për një grup prej 17 elementësh të çmuar për vetitë e tyre unike magnetike dhe elektrokimike. Ato përdoren në shumë produkte moderne, nga telefonat inteligjentë te bateritë e automjeteve elektrike e deri te ilaçet për trajtimin e kancerit.
Kina është deri tani prodhuesi më i madh në botë i tyre, me rreth 70% të prodhimit global. Elementët janë cilësuar si kritikë nga Shërbimi Gjeologjik i SHBA-së për sektorë duke përfshirë mbrojtjen kombëtare, në kohën kur Washingtoni synon ta zvogëlojë varësinë e tij nga Pekini.