Gazetari Milaim Zeka lidhur me gjykimin e ish-krerëve të UÇK-së në Gjykatën Speciale në Hagë, ka deklaruar se Halit Sahitaj, një nga dëshmitarët që ka dalë kundër tyre, është dërguar në Hagë në tetor të vitit 2020, pas një trajnimi të parapërgatitur nga Faik Imeri.
Zeka në DEBAT PLUS ka deklaruar se jo vetëm Sahitaj, por edhe shumë komandantë të luftës “i kanë hëngër foret” e Faik Imerit, të cilin ai e akuzon se ka trajnuar dëshmitarë kundër ish-udhëheqësve të UÇK-së.
Ai ka publikuar edhe një fotografi të Faik Imerit, duke e paraqitur atë si njeriun që ka luajtur rol kyç në këtë proces.
Sipas Zekës, Halit Sahitaj ka jetuar për 30 vjet në Gjermani dhe nuk ka qenë në Kosovë gjatë luftës.
“Prokurori gjerman i ka thënë: ‘E kam dëgjuar biografinë tënde, një minutë nuk ke qenë në Kosovë gjatë luftës. Kush të ka përgatit me ardhur?’”, thotë Zeka.


Ai ka shtuar se vetë Sahitaj ka pranuar se është përgatitur nga “një agjent i lartë i CIA-s dhe Jack Smith”, sepse “nuk kishin prova të mjaftueshme” dhe kishin nevojë për një dëshmitar që do të deklaronte sipas udhëzimeve të tyre.
“Edhe i ka të gjitha me shkrim”, ka theksuar Zeka.
Zeka ka potencuar se Faik Imeri është lidhur me Specialen përmes rastit të vrasjes së vëllait të tij dhe ka logjikë, sipas tij, që Gjykata ka bashkëpunuar me dikë që ka kërkuar drejtësi për një rast personal.