Zeka: Grevat janë politike, mësimdhënësit t’i kthehen punës

Deputeti i Nismës, Milaim Zeka ka kërkuar sot nga foltorja e Kuvendit të Kosovës nga mësimdhënësit që ta ndërpresin grevën, pasi sipas tij, me Ligjin për pagat kësaj kategorie i është rritur paga.

Zeka tha se grevat janë politike dhe pa arsye.

“Në kohën kur Kosova nuk ka qenë krizë më të madhe se tash për shkak të partive politike, por edhe të deputetëve, që nuk i kemi përmbush arsyetimet pse deputet i bëj thirrje të gjithë mësuesve, punëtorëve të arsimit të kthehen në vendet e tyre të punës dhe mos të dëgjojnë deputetët demagogë që rrejnë publikisht dhe i hedhin benzinë zjarrit veç për do vota”, u shpreh Zeka, duke shtuar se janë duke u bërë greva politike dhe pa arsye.

Ai tha se deputetët janë marrë vesh për zbritje të rrogës për presidentin, kryeministrin, kryeparlamentarin dhe deputetët, ndërsa ka rritje për kategoritë tjera, raporton Telegrafi.

Por, pas kësaj reagoi kryetari i Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli i cili tha se zbritje të rrogës ka për presidentin, kryeministrin dhe kryeparlamentarin, por jo edhe për deputetët.

Madje, sipas tij, për ligjvënësit pagat janë rritur.