Zbulohet ilaçi kundër sëmundjes më vdekjeprurëse të ditëve të sotme

Ebola së shpejti mund të bëhet një sëmundje e shërueshme, pasi studimi i dy ilaçeve tregoi një përmirësim të ndjeshëm në shkallën e mbijetesës, thanë shkencëtarët.

Në fakt, katër ilaçe u testuan te pacientët në Kongo, ku shpërtheu epidemia e këtij virusi, transmeton KosovaPress.

Organizata Botërore e Shëndetit tha që studimet kanë treguar se dy ilaçe janë dukshëm më efektive se të tjerat në trajtimin e sëmundjes.

I njëjti raport thotë se më shumë se 90 për qind e të infektuarve mbijetojnë nëse trajtohen në fazën e hershme të sëmundjes me katër ilaçet e testuara. U ra dakord që ilaçet tani të përdoren për të trajtuar të gjithë pacientët që vuajnë nga kjo sëmundje në Kongo.

Instituti Kombëtar Amerikan për Alergji dhe Sëmundje Infektive (NIAID), i cili bashkë-financoi studimin, tha se ishte “një lajm jashtëzakonisht i mirë” kur bëhet fjalë për luftimin e Ebolës.

ZMapp, remdesivir, mAb114 dhe REGN-EB3 u përdorën në studim, dhe REGN-EB3 dhe mAb114 u treguan më efektivë në trajtimin e Ebolës sesa dy të tjerët.

“Ata veprojnë për të sulmuar virusin Ebola me antitrupa, duke anuluar kështu efektin e tij në qelizat. Këto janë ilaçet e para që treguan qartë një ulje të konsiderueshme të vdekshmërisë në një studim të bazuar në shkencë midis pacientëve të infektuar me Ebola”, tha Anthony Fauci, drejtor i NIAID.

Ai shton se REGN-EB3 dhe mAb114 janë zhvilluar duke përdorur antitrupa nga të mbijetuarit e sëmundjes.

Mbi 1.800 njerëz kanë vdekur në Kongo vitin e kaluar. Përhapja e fundit e Ebolës në Kongon lindore filloi në gusht të vitit të kaluar dhe është më e madhja që nga viti 1976, kur u zbulua për herë të parë virusi, transmeton KosovaPress.

Sidoqoftë, epidemia më e rëndë e kësaj sëmundje virale ka goditur gjithë Afrikën Perëndimore, veçanërisht vendet si Guineja, Liberia dhe Sierra Leone, të cilën ajo e ka goditur midis 2014 dhe 2016. Në këto vende u infektuan gjithsej 28.616 njerëz dhe 11.310 vdiqën.