Vilson Agaj, Orest Çorapaj dhe Julian Zogaj mbajtën peng për dy javë shqiptarin nga Kosova Fisnik Xhaka, e dhunuan dhe kërkuan 70 mijë euro për lirimin e tij.
Tre personat nga zonat rurale të Vlorës (fshatrat e Lumit të Vlorës, Bashaj) janë njohur Xhakën në një vend të Bashkimit Europian, në Suedi.
Gjatë kësaj njohjeje, ata kanë kryer marrëveshje të paligjshme për trafik droge. Shtetasi nga Kosova i ka lidhur ata me një person tjetër jashtë vendit, dhe vlonjatët kanë dërguar drogën në një vend të BE-së (vend i pacaktuar, pasi të arrestuarit nuk kanë treguar, madje as telefonat e sekuestruar nuk u gjet ky informacion).
Pas kësaj, personi që mori drogën jashtë vendit nuk u ka kthyer paratë vlonjatëve. Për këtë arsye, këta të fundit kanë marrë peng shtetasin nga Kosova, duke e mbajtur për rreth dy javë, madje kanë ushtruar dhunë me shpresën për të marrë pagesën për mallin.
Motra e shtetasit nga Kosova, që jeton në Suedi dhe kishte dijeni për ngjarjen, kontaktoi Interpolin. Interpoli njoftoi Policinë e Vlorës, e cila, duke përdorur lokacionin e dërguar nga motra, arriti të arrestojë tre personat brenda 15 minutash. Fisnik Xhaka, i cili kishte plagë të lehta, iu dha ndihma e parë dhe u lirua. Ndërkohë, autorët nuk kanë pranuar të zbulojnë vendin e saktë ku ishte dërguar droga, në çfarë vendi të BE-së.











