Dogana e Kosovës ka zbuluar mallra të kontrabanduara në vlerë mbi 500 mijë euro në një depo në Prishtinë.
Sipas njoftimit, zyrtarët e Doganës së Kosovës kanë realizuar një kontroll në një depo ku dyshohej për mallra të kontrabanduara.
Gjatë kontrollit është konstatuar një sasi e konsiderueshme mbathjesh me marka të mbrojtura tregtare.
Depoja në fjalë nuk ishte e regjistruar si biznes dhe nuk posedonte asnjë dokumentacion që dëshmonte prejardhjen e mallit, thuhet në njoftimin e Doganës.
Malli është duke u sekuestruar dhe inventarizuar, ndërkaq vlera e përafërt e mallit të dyshuar vlerësohet të jetë mbi 500,000.00 euro.










