Zbërthehet në themel plani i madh rus për dërgimin e lëndëve shpërthyese nëpër Evropë

Lodra seksi, shamponë për trup dhe losion për masazh nuk ishin lloji i dërgesave që Aleksandr Suranovas ishte mësuar t’i dorëzonte.

“Çka?”, kishte shkruar ai kur iu dërgua një fotografi me lëndët që po i kërkohej të dërgonte në katër pako nga Lituania në Britani të Madhe dhe Poloni.

“Ishin gjëra që u duheshin dhe po ofronin punë të rregullt”, qe mesazhi i tij në aplikacionin e mesazheve “Telegram”. Pagesa ishte e mirë: 150 euro për disa orë punë. Prandaj Suranovas u pajtua me ofertën e punës. “Nëse këto gjëra u duhen atyre, unë jam në rregull me këtë”, u përgjigj ai.

Mirëpo secila pako përmbante lëndë të sofistikuara shpërthyese, shkruan BBC. Pakot e kozmetikës ishin mbushur me lëngje shumë shpërthyese dhe pajisjet e ndezshme ishin fshehur për të shmangur detektimin nga skanerët e aeroportit. Suranovas thotë se nuk kishte haber për krejt këto që po i bartte.

Kur atij iu lanë në dorë pakot në një park të Vilnius në korrikun e vitit 2024, matësit kohorë veçse ishin aktivizuar. Brenda dy ditësh, tre pakot do të ndizeshin, njëri veç ishte ngarkuar në aeroplanin për Londër. Nëse do të zbuloheshin vonë, pasojat do të ishin katastrofike.

Në gusht, Suranovas ishte arrestuar dhe akuzuar për organizimin e aktit terrorist në emër të inteligjencës ushtarake ruse, GRU. 22 persona të tjerë janë në paraburgim në Lituani dhe Poloni pas hetimeve ndërkombëtare në të cilin u përfshinë edhe zyrtarët britanikë kundër-terrorizmit. Hetimi erdhi në përfundim se operacioni ishte organizuar nga Rusia, akuzë që vazhdimisht është mohuar nga Moska. Kjo është hera e parë që dikush i përfshirë në komplot ka folur publikisht për të.

Korrespondentja e BBC-së për Evropën Jugore dhe Lindore, Sarah Rainsford ka arritur të intervistojë Suranovas. Mirëpo ai nuk ishte i pari me të cilin kishte bërë përpjekje të binte në kontakt.

“Vitin e kaluar, u kam shkruar disa të dyshuarve në burgje si pjesë e hetimit tim për një valë të sulmeve të sabotazhit nëpër Evropë pas nisjes së pushtimit të plotë të Ukrainës nga Rusia, që kishin përfshirë zjarr vënie, devijim të trenave dhe komplote me pako. Suranovas u përgjigj dhe kur u lirua, u pajtua të takoheshim”, ka shkruar Rainsford.

“Rrëfimi i tij, bashkë me dokumente të tjera të rastit, të cilat i kam parë dhe burime të tjera, më dhanë qasje të plotë në komplotin e jashtëzakonshëm që kishte për cak Britaninë dhe disa shtete, në përpjekje për të minuar përkrahjen për Kievin. Këto ndihmojnë të ekspozojnë sesi Rusia vazhdimisht ka rekrutuar individë brenda Evropës dhe është akuzuar për sulmet serioze”, shkruan ajo.

“Nuk do ta quaja luftë në hije. Mendoj se ishte agresion aktiv kundër shteteve tona”, kishte tërhequr vërejtjen Vilmantas Vitkauskas, shef i Qendrës për Menaxhimin e Krizave Kombëtare të Lituanisë.

“Është mesazh i qartë se ata që e përkrahin Ukrainën do të goditen nga rusët. Mendoj se është shumë e rrezikshme dhe jemi afër situatave kur shumë njerëz mund të vuajnë”.

Suranovas ishte punësuar nga një i njofshëm i moçëm në Rusi që njihej me inicialet HK, me të cilin komunikonte në Telegram. Udhëzimet e tij, të cilat i ka parë edhe BBC-ja, ishin që të merrte pakot dhe t’i dërgonte në adresat në Londër, Birmingham dhe Varshavë, duke përdorur kompanitë e dërgesave si DHL dhe DPD.

Hetimet e policisë britanike tregojnë se Suranovas ishte hallka e fundit e një zinxhiri të gjatë, të koordinuar nga Rusia. Secili person i zinxhirit kishte detyra specifike, që prej bartjes së pakove me lëndë shpërthyese në shtetet e BE-së deri te furnizimi me automjete. Disa prej tyre nuk ishin në dijeni të punës që po e kryenin.

Zyrtarë të Lituanisë janë të bindur se komploti ka stilin e punëve të Rusisë.

“Sa më shumë njerëz pa pikë ideje [se çfarë po bënin] e bën edhe më të vështirë hetimin e saktë të tyre”, thotë ish-ministri lituan i mbrojtjes.

Hetuesit kanë identifikuar disa të dyshuar si koordinatorë nga Rusia. Njëri, i njohur me nofkën “Warrior” [luftëtari], besohet se ka organizuar zjarrvënien në një dyqan të Ikea-s në Vilnius në majin e vitit 2024.

Mirëpo një ukrainas riosh, Vladislav Derkavets, veç ishte duke aktivizuar pajisjet shpërthyese. Më vonë u arrestua. Dosja e tij tregon se “Warrior”, ishte duke i dhënë udhëzime në Telegram.

Pasi kishte aktivizuar mjetet shpërthyese, Derkavets ishte urdhëruar që të fshinte gjithçka që kishte në dorë. Lubrifikuesit e lëndë të tjera, bashkë me tubat e mbushur me eksplozivë ishin vendosur në pako. Ato do t’i dorëzoheshin më pas Suranovas.

Ai është takuar me korrespodenten e BBC-së në qendër të Vilnius dhe kishte një pajisje elekronike në këmbë. Pas 18 muajve në paraburgim ishte në mbikëqyrje të rreptë.

Lituani i lindur në periudhën sovjetike, e cilëson veten si rus etnik. Ai ka treguar krejt ngjarjen në gjuhën ruse.

Ai e ka pranuar se ka dërguar pakot, ishte filmuar nga kamerat e sigurisë në zyrat e DHL-së e DPD-së, mirëpo insiston se nuk kishte haber për lëndët shpërthyese që ishin fshehur nëpër pako.

“Kurrë nuk do të pajtohesha për një punë të tillë sepse mendoj se është e tmerrshme”, thotë ai.

Më 20 korrik, pakoja e parë e Suranovas kishte marrë flakë në aeroportin e Leipzigut në Gjermani. Ishte pako e nisur për në Londër dhe do të vendosej në aeroplanin e DHL-së. Pajisja e dytë mori flakë të nesërmen në një kontejner afër Varshavës. Një tjetër pajisje nuk shpërtheu. Pakoja e fundit në depon e DHL-së në Birmingham kishte marrë flakë. Askush nuk u lëndua, por dëmet ishin të mëdha.

Kah fundi i intervistës me BBC-në, Suranovas ishte pyetur se çfarë mendonte se do të arrinte Rusia me këto sulme. Ai u ndal për një moment.

“Mendoj se ndoshta po testonte diçka; se ata po përgatiteshin për diçka më të madhe. Ishte që të tregonin se kishin armë që mund të shkonin thellë nëpër shtete. Se mund të bëjnë shumë gjëra e ju as mos të dini për to”, tha në fund ai.