Zbatimi i sistemit të ri të hyrjes dhe daljes në Zonën Schengen, MPB del me njoftim

Zbatimi i plotë i sistemit të ri të hyrjes dhe daljes nga Bashkimi Evropian, EES, filloi sot në territorin e Bashkimit Evropian.

Për këtë zhvillim, Ministria e Punëve të Brendshme të Kosovës njoftoi po ashtu përmes një komunikate të premten.

Sipas MPB-së, EES është një sistem i automatizuar dhe bipmetrik që regjistron hyrje/daljet e shtetasve të vendeve jo-anëtare të BE-së përmes mbledhjes së të dhënave si gjurmët e gishtërinjve, fotografia e fytyrës dhe të dhënat e pasaportës.

Njoftimi i plotë i MPB-së:

Ministria e Punëve të Brendshme njofton të gjithë qytetarët e Republikës së Kosovës se Sistemi i Hyrje/Daljes (Entry/Exit System – EES) i Bashkimit Evropian nga sot (10 prill 2026) do të zbatohet plotësisht në të gjitha pikat e kalimit kufitar të Zonës Schengen.

Siç kemi njoftuar më parë, ky sistem ka filluar të zbatohet gradualisht nga 12 tetor 2025 deri në arritjen e zbatimit të plotë.

Sistemi EES është një sistem i automatizuar dhe biometrik që regjistron hyrjet dhe daljet e shtetasve të vendeve jo-anëtare të BE-së, përmes mbledhjes së të dhënave si:
gjurmët e gishtërinjve;
fotografia e fytyrës;
të dhënat e dokumentit të udhëtimit.

Nga 10 prilli 2026, ky sistem zëvendëson plotësisht vulosjen manuale të pasaportave dhe mundëson identifikimin automatik të qëndrimeve të tejkaluara.

Qytetarët e Republikës së Kosovës mund të udhëtojnë pa vizë në Zonën Schengen për qëndrime afatshkurtra (deri në 90 ditë brenda çdo periudhe 180-ditore), duke plotësuar këto kushte:

Të posedojnë pasaportë biometrike valide (e vlefshme të paktën 3 muaj pas datës së kthimit);
Të justifikojnë qëllimin e udhëtimit (turizëm, vizitë familjare, biznes, etj.);
Të kenë dëshmi të mjeteve të mjaftueshme financiare për qëndrimin;
Të kenë biletë kthimi ose dëshmi për vazhdimin e udhëtimit;
Të mos jenë në listat e ndalimit të hyrjes në Schengen.