Ymeri zbulon mesazhin e fshehtë të Kurtit për Osmanin

Analisti politik, Visar Ymeri ka komentuar paralajmërimet për zgjedhje të reja, duke thënë se ideja nuk ka ardhur si pasojë e zhvillimeve institucionale, por si vullnet politik i shprehur drejtpërdrejt nga Albin Kurti.

Sipas Ymerit, për herë të parë mundësia e zgjedhjeve është përmendur nga Kurti në një intervistë javën e kaluar, në formën e një mesazhi të qartë politik.

“Diskutimin apo mundësinë e zgjedhjeve së pari e ka përmend Albin Kurti në një intervistë që e pati javën e kaluar. Deri atëherë ne kemi supozu. Ne e dijmë që dështimi për me zgjedh presidenten në Kuvend e dërgon vendin në zgjedhje mirëpo vullneti politik i shprehur për herë të parë vjen nga Albin Kurti në formë të kërcënimit “Nëse nuk votohet presidenti shkojmë në zgjedhje””, ka thënë Ymeri në “VV Show”.

Ai vlerëson se pas kësaj deklarate mund të fshihen disa prapavija politike dhe se mesazhi i Kurtit nuk ishte i drejtuar rastësisht.

Sipas tij, sinjali i është dërguar presidentes aktuale, Vjosa Osmani, duke i bërë të ditur se nuk i ka 80 votat e nevojshme për një mandat tjetër.

“Prapa kësaj mund të fshehen shumë gjëra. Në atë intervistë më së shumti përshtypje më ka bërë me tentu mënyrë gati spekulative me përcaktu kujt po ia dërgon këtë mesazh Kurti. Kujt po i thotë se mundemi me shku në zgjedhje. Vjosa Osmanit, e lexova ashtu, praktikisht ai fliste me presidenten aktuale. I thoshte që nuk i kam 80 vota”.

Ymeri ka theksuar se raportet mes Kurtit dhe Osmanit janë tensionuar, veçanërisht në planin ndërkombëtar, ku sipas tij, veprimet e Osmanit i kanë shkaktuar dëm Kurtit.

Një tjetër arsye, sipas analistit, lidhet me popullaritetin e presidentes, të cilin Kurti e sheh si sfidë direkte ndaj autoritetit të tij politik.

“Osmani në planin ndërkombëtar i ka shkaktu dëm Kurtit, kjo është arsye që nuk e kish dasht prapë Osmanin. E dyta, Osmani si figurë politike e ka një dimension të popullaritetit dhe së këndejmi ajo i bën karshillëk Kurtit, e Kurti nuk do karshillëk në çfarëdo mënyre qoftë. Kështu që këto janë arsye që mendoj që Vjosa Osmani nuk do kishte me qenë e preferuara e Kurtit. Kurti në zgjedhjet e 28 dhjetorit e dëshmoi që ai edhe LVV fitojnë 50 për qindëshin e jo Vjosa Osmani. Në vitin 2021 nuk do ishte arritur 50 % pa Vjosa Osmanin, por tash rrethanat kanë ndryshu. Kjo e bën elektoralisht Vjosa Osmanin jo aq të fuqishme siç pretendohej të jetë. Faktor në vendimmarrje mund të jetë edhe çfarë rreziku sheh Kurti nëse Vjosa Osmani garon me ndonjë parti tjetër”.