Në një vështrim kritik mbi qasjen e fundit të kryetarit të LDK-së Lumir Abdixhiku ndaj mediave, analisti Visar Ymeri ka ngritur alarmin mbi atë që ai e quan një rrëshqitje drejt metodave populiste nga ana e kreut të kësaj partie.
Ymeri argumentoi në “Debat Plus” se strategjia e ndarjes së shoqërisë në dy kampe antagoniste – “Ne” kundër “Atyre” – është e papajtueshme me vlerat e një partie që synon t’i përkasë spektrit liberal-demokrat.
Sipas Ymerit, të etiketosh çdo zë kundërshtues si të blerë apo të manipuluar, pa ofruar asnjë provë, përbën një gabim thelbësor politik.
“Kjo gjuhë është përngjasim i një tendence të ndarjes së shoqërisë në mes të ‘NE’ dhe ‘ATYRE’, që është, si me thënë kështu, fenomeni ose mekanizmi bazë që e përdor popullizmi gjithandej, edhe në Kosovë”, tha Ymeri ndër tjera.
“Mendoj që kjo nuk i shkon një partie demokratike që synon një shoqëri liberale. Jo secili njeri që nuk pajtohet me ty është i shtirë nga dikush ose i paguar nga dikush. Mendoj që kushdo që e aplikon këtë lloj të menduarit ndaj kujtdo tjetër, veç pse nuk pajtohesh me të, me thënë ky është i shtirë ose e ka paguar dikush, është gabim në hapa, përveçse nëse ke fakte për një gjë të tillë, pastaj i zbulon edhe faktet…”, shtoi ai.
Për sa i përket lidershipit të brendshëm të LDK-së, Ymeri u shpreh indiferent, duke nënvizuar se është e drejtë ekskluzive e anëtarësisë së tyre të vendosin nëse duan të vazhdojnë rrugëtimin me Abdixhikun në krye.
“Le të zgjedhin kë të dojnë, tek e fundit mua s’mundet me mu dhimt partia e tyre se sa atyre. Nëse ata mendojnë që mujnë me ec përpara me Lumir Abdixhikun, le të vazhdojnë me Lumir Abdixhikun…”, ka thënë Ymeri.










