Deputetja e zgjedhur e Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Janina Ymeri, ka reaguar ndaj padisë së ngritur nga Korporata Energjetike e Kosovës (KEK) ndaj saj, duke e cilësuar atë si përpjekje për frikësim dhe përndjekje politike.
Në një reagim publik në Facebook, Ymeri ka deklaruar se, sipas legjislacionit në fuqi, një ndërmarrje shtetërore nuk ka të drejtë të kërkojë dëmshpërblim për shpifje. Ajo i është referuar Ligjit Civil Kundër Shpifjes dhe Fyerjes, duke theksuar se autoritetet publike ndalohen shprehimisht nga një veprim i tillë.
“KEK-u është 100 për qind shtetëror. Juristët e KEK-ut e dinë, ose do të duhej ta dinin, këtë fakt, por pavarësisht kësaj e kanë dorëzuar padinë vetëm me qëllim frikësimi dhe përndjekjeje”, ka shkruar Ymeri.
Ajo ka akuzuar kryeministrin në detyrë, Albin Kurti, se qëndron prapa kësaj padie, duke pretenduar se po përndiqet politikisht përmes të emëruarve të tij në KEK. Sipas saj, kjo përndjekje dëshmohet edhe nga publikimi i adresës së saj të banimit, të cilën ajo e ka cilësuar si shkelje të Ligjit për Mbrojtjen e të Dhënave Personale.
“Duke marrë parasysh që KEK-u menaxhohet nga të emëruar politikë, kjo padi është një akt i përndjekjes politike i orkestruar nga Albin Kurti dhe njerëzit e tij në KEK”, ka shkruar ajo.
Ymeri ka bërë të ditur gjithashtu se deri më tani nuk ka pranuar asnjë ftesë apo njoftim zyrtar nga Gjykata lidhur me këtë çështje.










